Një pasardhës i pushtuesve japonezë nga Reparti 1644 i kohës së luftës ka sjellë prova të luftës bakterologjike të Ushtrisë Perandorake në Kinë, duke hedhur një dritë të re mbi mizoritë e kryera gjatë pushtimit japonez.
“Kjo është hera e parë Japonia ka bërë publike listën e plotë të Repartit 1644, duke zbuluar detaje rreth kësaj njësie ushtarake”, tha 77-vjeçari Katsutoshi Takegami, djali i një anëtari të këtij reparti, në një intervistë të kohëve të fundit për gazetën “Renminribao”. “Provat e krimeve të kryera nga forcat pushtuese japoneze në Kinë janë të forta dhe të pamohueshme.”
Sivjet, me kërkesë të Takegamit dhe studiuesve japonezë, Arkivi Kombëtar i Japonisë publikoi për herë të parë listat e personelit të reparteve 1644, 8604 dhe 8609 të Ushtrisë Perandorake Japoneze, të vendosura në Kinë.
Këto lista janë pjesë e të dhënave të personelit të forcave pushtuese japoneze, që përmbajnë informacione të tilla si emrat, datat e lindjes, vendbanimet e regjistruara dhe degët ushtarake të anëtarëve të reparteve në atë kohë. Ato shërbejnë si materiale parësore të rëndësishme për studimin e këtyre njësive ushtarake japoneze.
Në vitin 2017, ndërsa po rinovonte depon e shtëpisë së vet, Takegami zbuloi disa albume fotografike dhe dokumente të lëna nga i ati. Këto materiale regjistronin aktivitetet e “Reparteve të Parandalimit të Epidemive dhe Furnizimit me Ujë” të Ushtrisë Perandorake Japoneze në Kinën lindore dhe qendrore gjatë pushtimit.
Takegami kishte mësuar më parë nga vepra e njohur e Seiichi Morimura-s, “Grykësia e Djallit”, se njësitë e etiketuara si reparte të kontrollit të epidemive dhe kanalizimeve të ujit, të cilat dukej sikur furnizonin trupat me ujë të pijshëm, në fakt kryenin fshehurazi luftë biologjike dhe eksperimente me njerëz.
Për shkak të kërkesave të rrepta të sekretit ushtarak, babai i Takegamit nuk i tregoi kurrë atij për përvojën në në Kinë. Pas hetimeve, Takegami zbuloi se, që nga viti 1932, babai i tij kishte qenë në Kinë tri herë, duke shërbyer si sanitar mjekësor dhe në role të tjera, dhe në vitin 1941 ai u transferua në Repartin 1644.
Ushtria pushtuese japoneze nisi sulme të shumta të luftës biologjike në Kinë, dhe Reparti 1644 ishte midis njësive të ndryshme – përfshirë Repartin famëkeq 731 – përgjegjëse për mizori të tilla. Takegami tha që, ndërsa ka informacion të konsiderueshëm në lidhje me shërbimin e babait të tij në njësi të tjera ushtarake, të dhënat rreth Repartit 1644 janë shumë të pakta.
Të dhënat e disponueshme publikisht tregojnë se Reparti 1644 ishte i lidhur ngushtë me Repartin 731 për sa i përket vendosjes së personelit dhe mobilizimit të pajisjeve. Ai ishte e përfshirë në krijimin e armëve biologjike, kultivimin e patogjenëve, kryerjen e eksperimenteve në njerëz dhe bashkëpunimin me Repartin 731 për të kryer luftë biologjike kundër Kinës. Kjo shkaktoi shpërthime të përhapura të sëmundjeve të rënda infektive si kolera, tifoja dhe murtaja në provinca si Zhejiang dhe Jiangxi, duke i sjellë dëme të mëdha popullsisë lokale.
Takegami vuri në dukje që, pas disfatës së Japonisë, shumë të dhëna përkatëse u shkatërruan, veçanërisht ato që përfshinin luftën biologjike dhe eksperimentet njerëzore. Materialet e pakta që kanë mbijetuar, ka rëndësi të madhe të njihen prej publikut, pasi e vërteta rreth Repartit 1644 mbetet kryesisht e pazbuluar, duke i bërë këto dokumente veçanërisht të vlefshme.
“Më vjen thellësisht keq për kinezët që humbën jetën gjatë pushtimit të Kinës nga Japonia. Edhe tani ka ende akte dhe deklarata të herëpashershme në Japoni që mohojnë ose fshehin historinë e agresionit. Krimi është krim – ne duhet të reflektojmë mbi të me ndershmëri dhe qeveria japoneze duhet t’i kërkojë falje sinqerisht Kinës,” theksoi Takegami.
“Gjatë jetës sime, do të vazhdoj të përpiqem t’i zbuloj botës të vërtetën historike, në mënyrë që tragjedi të tilla të mos ndodhin më kurrë,” shtoi ai./cgtn