Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha u bëri sot thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të marrin pjesë masivisht në votime për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi.
Hoxha theksoi se pjesëmarrja në zgjedhje është një e drejtë themelore demokratike dhe një mundësi për të dëgjuar zërin e qytetarëve.
Sipas tij, çdo votë ka rëndësi dhe se pjesëmarrja e lartë forcon zërin e shqiptarëve për të drejtat, përfaqësimin dhe të ardhmen e tyre në Luginën e Preshevës.
“Pjesëmarrja në zgjedhje është një e drejtë themelore demokratike, por edhe një mundësi e rëndësishme për të bërë që zëri juaj të dëgjohet dhe të ketë peshën që meriton. Sot është dita për ta bërë këtë, duke marrë pjesë masivisht në votime dhe duke ushtruar lirisht të drejtën tuaj demokratike. Çdo votë ka rëndësi”, u shpreh Hoxha.
Ministri Hoxha theksoi se sa më e madhe të jetë pjesëmarrja, aq më i fortë është zëri i qytetarëve për të drejtat, përfaqësimin dhe të ardhmen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Dilni dhe votoni. Për zërin tuaj, për të drejtat tuaja, për të ardhmen tuaj”, është thirrja e ministrit Hoxha.
Tetë parti shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja garojnë me listën e përbashkët “Koalicioni Shqiptar” në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që mbahen këtë të diel, më 25 tetor, në Serbi, me synimin për ta rritur përfaqësimin e tyre në Kuvend.
© 2026 Argumentum





















































