Partia Demokratike doli sot në protestë para Kryeministrisë, duke iu bashkuar lëvizjes së studentëve dhe të rinjve që prej ditësh kërkojnë largimin e qeverisë. Tubimi u zhvillua pas thirrjes së kryetarit të PD-së, Sali Berisha, për mobilizimin e anëtarëve dhe simpatizantëve të partisë në mbështetje të protestuesve.
Pjesëmarrës nga Tirana dhe qytete të tjera të vendit u mblodhën para godinës së Kryeministrisë. Gjatë protestës, disa simpatizantë të PD-së u vunë flakën ulëseve me jastëkë të vendosura nga kryeministri Edi Rama si një ftesë simbolike për dialog me studentët.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, tha se partia synon t’i japë më shumë mbështetje protestës së të rinjve, duke akuzuar qeverinë për korrupsion dhe lidhje me krimin.
“Jemi sot në këtë organizim për t’i dhënë një spunto më të madhe asaj proteste heroike të të rinjve dhe studentëve të këtij vendi”, deklaroi Noka, duke u bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen lëvizjes.
Ndërkohë, studentët kanë njoftuar një tjetër protestë para Ministrisë së Arsimit, e cila pritet të nisë në orën 14:00.
Protesta e PD-së zhvillohet në një moment kur lëvizja studentore vijon të kërkojë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij.
© 2026 Argumentum





















































