Zyrtarët kinezë nga departmentet e ndryshme qeveritare folën të hënën para gazetarëve për arritjet e demokracisë socialiste gjatë periudhës së planit të 14-të pesëvjeçar (2021-2025).
Song Rui, zv.sekretari i përgjithshëm i Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Kombëtare Popullore (AKP), theksoi se sistemi i asambleve popullore ka arritur një pjekuri më të madhe gjatë kësaj periudhe. Që nga marsi i vitit 2021, AKP-ja dhe Komiteti i Përhershëm i saj kanë miratuar 35 ligje, kanë amenduar 62 ligje dhe kanë miratuar 34 vendime e rezoluta, duke forcuar kuadrin ligjor për të përmbushur nevojat urgjente të qeverisjes, për të përmirësuar jetesën e njerëzve dhe për të mbrojtur sigurinë kombëtare, tha Song.
Ndërsa zëvendëssekretari i përgjithshëm i Komitetit Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez (KKPPK), Hu Henglu, bëri të ditur që KKPPK-ja organizoi 279 takime konsultative, duke përfshirë sesione tematike të komitetit të përhershëm dhe konsultime të posaçme, gjatë periudhës pesëvjeçare, si edhe kreu 413 vizita inspektimi e projekte kërkimore dhe shqyrtoi 25 043 propozime, shumë prej të cilave u kthyen në masa politikash.
Ma Lihuai, zv.kryetari i Departmentit të Punës së Frontit të Bashkuar të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, theksoi se ky department pati arritje të jashtëzakonshme gjatë kësaj periudhe.
“Duke balancuar siç duhet unitetin me diversitetin, duke promovuar demokracinë dhe duke respektuar dallimet me përfshirjen, ne kemi nxitur një harmoni më të madhe në marrëdhëniet midis partive politike, kombësive, feve, shtresave shoqërore dhe bashkatdhetarëve brenda e jashtë vendit”, u shpreh Ma. “Këto përpjekje kanë mbledhur mençuri dhe forcë në shkallë të gjerë për të çuar përpara modernizimin kinez.”
Duan Yijun, zëvendëskryetar i Komisionit Kombëtar të Çështjeve të Kombësive, bëri të ditur se, nga viti 2020 deri në vitin 2024, PBB-ja rajonale e kombinuar e pesë rajoneve autonome të Kinës u rrit nga 6.01 trilionë juanë (rreth 837 miliardë dollarë) në 8.38 trilionë juanë./cgtn