Në një hap të ri në fushën e sigurisë kombëtare, Kroacia ka miratuar rikthimin e shërbimit ushtarak të detyruar për meshkujt deri në moshën 29 vjeç, duke filluar nga janari i vitit 2026. Ky vendim, i miratuar nga Parlamenti në Zagreb me shumicë të madhe votash, do të kërkojë që të rinjtë të kryejnë një trajnim bazë ushtarak për dy muaj, pas një testi mjekësor të aftësisë.
Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anusiç, e ka justifikuar këtë ndryshim me “situatën e ndryshuar të sigurisë”, duke theksuar se ky hap ka për qëllim që të rinjtë të zhvillojnë aftësi dhe njohuri të domosdoshme në raste krizash, pa e përmendur drejtpërdrejt luftën e agresionit të Rusisë. Ministria e Mbrojtjes ka deklaruar se kjo nismë është pjesë e përpjekjeve për të forcuar sigurinë kombëtare të vendit dhe për të rritur gatishmërinë ushtarake në periudha të tensioneve globale.
Ky rikthim i shërbimit ushtarak pas një periudhe të gjatë pa të, ka nxitur diskutime në Kroaci dhe në rajon. Disa e shohin si një hap të domosdoshëm për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse, ndërsa të tjerë shprehin shqetësime për ndikimin që mund të ketë ky vendim në lirinë individuale dhe stabilitetin social të vendit.
Të rinjtë që do të jenë pjesë e këtij shërbimi, do të jenë të detyruar të kalojnë një periudhë trajnimi ushtarak, ku do të mësojnë aftësi të rëndësishme për t’u përballur me situata krizash dhe emergjencash.
/Argumentum.al




























































