Presidenti amerikan Donald Trump do të zhvillojë sot një takim me kryeministrin hungarez Viktor Orban në Uashington, ku pritet të diskutohet varësia e Hungarisë nga nafta ruse dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, sipas “Reuters”.
Ky është takimi i tyre i parë dypalësh që nga rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë në janar.
Orban, një aleat i hershëm i Trumpit dhe një prej mbështetësve më të zëshëm të politikave kundër emigracionit, përballet me presion ndërkombëtar për shkak të mbështetjes së vazhdueshme ndaj energjisë ruse.
Presidenti Trump ka kërkuar që vendet evropiane të ndalojnë blerjen e naftës nga Rusia, si mënyrë për të goditur burimet financiare të Moskës për luftën në Ukrainë.
Në prag të takimit, zyrtarë hungarezë thanë se Orban synon të kërkojë përjashtime nga sanksionet amerikane ndaj kompanive energjetike ruse dhe të diskutojë një mundësi për rifillimin e dialogut SHBA–Rusi. Ai deklaroi për mediat shtetërore se “negociatat diplomatike janë gjithmonë të vështira, por me Trumpin pres bisedime miqësore dhe të lehta”.
Burime nga agjencia hungareze MTI raportuan se Orban e cilësoi çështjen e sanksioneve energjetike “shumë serioze”, por tha se ishte optimist për arritjen e një marrëveshjeje, duke theksuar: “E njoh presidentin, ai më njeh mua, e njohim temën , thjesht duhet të gjejmë zgjidhjen e duhur”.
Përveç energjisë, pritet që dy udhëheqësit të diskutojnë projekte të reja për rritjen e bashkëpunimit ekonomik në disa industri. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se “populli amerikan mund të presë marrëveshje të mira nga vizita e Orbanit”. Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Hungarisë janë përmirësuar ndjeshëm muajt e fundit, me rikthimin e Budapestit në programin e përjashtimit nga viza.
Megjithatë, qëndrimi i Hungarisë ndaj Rusisë dhe lidhjet e saj të ngushta me Kinën vazhdojnë të jenë burim tensioni me Uashingtonin dhe Brukselin. Orban ka kundërshtuar planet e BE-së për të ndërprerë importet e gazit dhe gazit të lëngshëm rus deri në vitin 2027, duke thelluar përplasjet me Brukselin për marrëdhëniet me Moskën.




























































