Presidenti Xi Jinping mori pjesë të mërkurën në ceremoninë e zhvilluar në provincën Hainan të Kinës Jugore, për vënien në shërbim dhe dorëzimin e flamurit aeroplanmbajtëses “Fujian”, e para aeroplanmbajtëse e Kinës e pajisur me katapulta elektromagnetike.
Xi Jinping-u, njëkohësisht kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, hipi në aeroplanmbajtëse për ta inspektuar gjatë ceremonisë së zhvilluar në një port detar në Sanya të provincës Hainan.
foto nga VCG
Me numrin e anijes 18, “Fujian” është një nga tre aeroplanmbajtëset kineze në shërbim. Ajo është dizenjuar dhe ndërtuar në mënyrë të pavarur nga Kina dhe u përurua në qershor të vitit 2022. Kjo aeroplanmbajtëse, që është emërtuar sipas provincës jugore të Kinës, Fujian, përfundoi provën e saj të parë në majin e vitit të kaluar.
foto nga VCG
Afro 2 mijë përfaqësues nga forcat detare dhe institucionet që morën pjesë në ndërtimin e aeroplanmbajtëses, ishin të pranishëm në ceremoninë e zhvilluar të mërkurën.
Në këtë veprimtari, kreu i shtetit kinez u dorëzoi një flamur të Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës kapitenit e komisarit politik të “Fujian”-it dhe bëri një fotografi së bashku me ta.
Në bordin e anijes, Xi Jinping-ut iu raportua zhvillimi i aeroplanmbajtëses kineze. Ai u njoh me aftësitë sistematike luftarake të aeroplanmbajtëses dhe sistemin e katapultave elektromagnetike.
Në kuvertën e fluturimit, avionët e gjeneratës së re në aeroplanmbajtëse, duke përfshirë avionët luftarakë “J-35” e “J-15T” dhe avionët e paralajmërimit të hershëm “KongJing-600”, u parkuan radhas. Duke folur me pilotët e tyre, Xi i inkurajoi ata të vazhdojnë të përmirësojnë aftësitë e njohuritë e tyre dhe të kontribuojnë në zhvillimin e aftësive luftarake të aeroplanmbajtëses “Fujian”.
foto nga VCG
Xi vizitoi kullën e kontrollit në “Fujian” për të mësuar rreth komandës së fluturimit dhe operacioneve të ngritjes dhe uljes. Më pas ai hyri në sallën e pilotit, ku vuri firmë në ditar.
Ishte pikërisht vendimi i Xi Jinping-ut që “Fujian” të pajisej me sistemin e katapultës elektromagnetike. Të mërkurën, ai vizitoi zonën e kontrollit të këtij sistemi dhe vëzhgoi me vëmendje procedurat operacionale.
Ai gjithashtu vizitoi mjediset e ngrënies në anije dhe dhomat e ekuipazhit për të inspektuar kushtet e jetesës së oficerëve e marinarëve./CGTN





























































