Një zëdhënëse e pjesës kontinentale të Kinës u bëri thirrje të mërkurën bashkatdhetarëve në Tajvan, të kuptojnë natyrën e dëmshme dhe të rrezikshme të veprimeve të Japonisë, të qëndrojnë së bashku për të shtypur me vendosmëri të gjitha aktivitetet separatiste që synojnë “pavarësinë e Tajvanit” dhe ndërhyrjen e huaj, si dhe të mbrojnë atdheun e përbashkët të kombit kinez.
Zhu Fenglian, zëdhënëse e Zyrës së Çështjeve të Tajvanit pranë Këshillit të Shtetit, tha në një konferencë për shtyp se deklaratat e fundit provokuese të kryeministres japoneze Sanae Takaichi mbi rajonin e Tajvanit në Kinë, shkelin drejtësinë ndërkombëtare, sfidojnë rendin ndërkombëtar të pasluftës dhe dëmtojnë seriozisht marrëdhëniet Kinë-Japoni.
Zhu vuri në dukje se deklaratat e Takaichi-t përpiqen të ndërhyjnë në Ngushticën e Tajvanit, të mohojnë rezultatet e Luftës së Rezistencës së Popullit Kinez kundër Agresionit Japonez dhe të ringjallin militarizmin.
“Këto deklarata shkaktojnë pyetje dhe shqetësime të forta nga bashkësia ndërkombëtare,” tha Zhu.
Ajo theksoi se çështja e Tajvanit është çështje e brendshme e Kinës dhe nuk toleron ndërhyrje të jashtme, duke i kërkuar Japonisë të ndalojë menjëherë ndërhyrjen në punët e brendshme të Kinës, të ndërpresë provokimet e saj dhe të përmbahet nga ndjekja e mëtejshme e rrugës së gabuar.
Zhu vuri në dukje se shkaku rrënjësor i tensioneve në Ngushticën e Tajvanit, qëndron në këmbënguljen kokëfortë të autoriteteve të Partisë Progresive Demokratike (PPD) ndaj qëndrimit “separatist të Tajvanit” dhe në bashkëpunimin e tyre me forcat e jashtme për të kërkuar pavarësi.
Shumë media të huaja, ekspertë dhe studiues kritikuan kohët e fundit autoritetet e PPD-së për lëvizjet e tyre të pamatura, duke i quajtur ata “shkatërrues të paqes në të Ngushticën e Tajvanit” dhe “shkaktarë problemesh”.
Ajo i paralajmëroi ashpër autoritetet e PPD-së se mbështetja tek forcat e jashtme për të kërkuar pavarësinë, nuk është gjë tjetër veçse një iluzion i kotë. Kushdo që harron rrënjët e veta dhe tradhton kombin, do të dënohet nga historia./CGTN





























































