Dhjetë punonjës policie mbetën të plagosur nga sulmi ndaj Komisariatit nr. 3 në Tiranë, ku grupe personash të maskuar përdorën bomba molotov, lëndë piroteknike, gurë dhe sende të forta kundër godinës dhe efektivëve që ndodheshin në shërbim.
Në një deklaratë për mediat, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, drejtues madhor Skënder Hita, bëri të ditur se efektivët e plagosur po kryenin detyrën për ruajtjen dhe sigurinë e komisariatit, ndërsa theksoi se ata nuk kishin qenë të angazhuar në veprimet policore gjatë ditëve të mëparshme të protestave.
Sipas Hitës, sulmi krijoi rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punonjësve të Policisë, por edhe për personat e shoqëruar që ndodheshin brenda ambienteve të komisariatit.
“Dua të jem shumë i qartë për të gjithë se sulmi ndaj një komisariati policie nuk është protestë”, deklaroi Hita, duke e cilësuar goditjen e efektivëve me mjete të rrezikshme si dhunë të rëndë, e cila dënohet nga ligji.
Ai bëri të ditur se edhe gjatë ditës së sotme janë regjistruar sulme të tjera ndaj punonjësve të Policisë, me gurë, lëndë piroteknike, sfera metalike dhe bomba molotov, duke shkaktuar plagosjen e efektivëve të tjerë.
“Prej gjashtë ditësh, punonjësit e Policisë së Shtetit po përballen me akte të përsëritura dhune, ndërkohë që vijojnë të përmbushin detyrën e tyre për garantimin e rendit dhe sigurisë publike”, u shpreh drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Hita nënvizoi se strukturat policore po punojnë për identifikimin e personave të përfshirë në sulme, dokumentimin e veprimeve të tyre dhe referimin e provave pranë organeve kompetente të drejtësisë. Sipas tij, çdo person për të cilin provohet përgjegjësia penale do të përballet me pasojat që parashikon ligji.
Ai theksoi se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar dhe se Policia ka detyrimin ta mbrojë atë, por paralajmëroi ndërhyrje në përputhje me ligjin ndaj çdo veprimi që cenon jetën, sigurinë dhe rendin publik.
Kreu i Policisë së Shtetit tha se ka udhëzuar strukturat policore të vijojnë detyrën me profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe vendosmëri, duke respektuar ligjin, procedurat standarde dhe parimin e proporcionalitetit.
“Vendosmëria për të ndaluar dhunën duhet të shoqërohet në çdo rast me respektimin e ligjit dhe të drejtave të qytetarëve”, deklaroi Hita.
Ai u bëri thirrje personave të përfshirë në veprime të dhunshme që t’i ndërpresin ato, ndërsa qytetarëve që protestojnë në mënyrë paqësore u kërkoi të distancohen nga individët që përdorin dhunën dhe rrezikojnë sigurinë e të tjerëve.
“Policia e Shtetit nuk është kundërshtare e qytetarëve. Ajo është në shërbim të tyre”, theksoi Hita, duke nënvizuar rëndësinë e besimit dhe bashkëpunimit mes Policisë dhe publikut.
Në përfundim, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u shprehu mbështetjen efektivëve që vijojnë shërbimin pavarësisht rrezikut dhe u uroi shërim të shpejtë punonjësve të plagosur.
“Siguria e qytetarëve, mbrojtja e jetës dhe garantimi i rendit publik janë detyrimi ynë dhe përgjegjësia jonë e panegociueshme”, përfundoi deklaratën Hita.
© 2026 Argumentum





















































