Shoqata Maqedonase “Ilinden”-Tiranë lajmëron se në vitin 2026 do të jetë organizatore e seminarit vjetor të Grupit të Punës për Pakicat Sllave në Europë (AGSM), një aktivitet i rëndësishëm i Unionit Federal të Kombësive Evropiane (FUEN). Kjo shënon herën e parë në historinë e Republikës së Shqipërisë që një ngjarje e tillë organizohet në vend, duke përfaqësuar një moment të veçantë për komunitetin maqedonas dhe për të gjitha pakicat në Shqipëri.
Grupi i Punës për Pakicat Sllave (AGSM), i themeluar në vitin 1996, bashkon 33 organizata anëtare nga i gjithë kontinentit, të cilat përfaqësojnë komunitete të ndryshme sllave në Europë. Çdo vit, seminari i AGSM organizohet në një rajon që ka prezencë të pakicave sllave, me qëllim shkëmbimin e përvojave, forcimin e bashkëpunimit dhe adresimin e sfidave të përbashkëta.
Shoqata Maqedonase “Ilinden”-Tiranë është anëtare e FUEN që nga 16 maji 2015, duke qenë pjesë aktive e iniciativave të Grupit të Punës për Pakicat Sllave. Si organizatë që përfaqëson maqedonasit etnikë në Shqipëri, ajo ka kontribuar vazhdimisht në promovimin e të drejtave të pakicave dhe në ruajtjen e identitetit kulturor.
Organizimi i këtij seminari ndërkombëtar në Shqipëri është një njohje e rëndësishme për rolin e komunitetit maqedonas në vend dhe një hap përpara në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet pakicave sllave në Europë.
/Argumentum.al





























































