Krerët politikë të Shqipërisë dhe Kosovës, së bashku me qytetarë dhe përfaqësues të pushtetit vendor, morën pjesë sot pranë Monumentit të Pavarësisë në Vlorë në ceremoninë solemne të ngritjes së flamurit, me rastin e 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Në ceremoni ishin të pranishëm Presidenti Bajram Begaj, Kryeministri Edi Rama, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, Prefektja e Qarkut të Vlorës Evis Allushi dhe Kryetarja e Bashkisë së Vlorës Brunilda Mersini.
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar presidenti Begaj, kryeministri Rama, presidentja Osmani dhe kryeparlamentari Peleshi dhe kryebashkiakja Mersini vendosën kurora me lule dhe u përkulën me respekt pranë monumentit simbol të kurorëzimit të përpjekjeve shekullore për liri e pavarësi, si homazh në këtë ditë të rëndësishme kujtese mbarëkombëtare.
Shqipëria feston sot 28 Nëntorin, 113- vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. 28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme për shqiptarët në trevat shqiptare dhe anembanë botës.
Më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës, i kryesuar nga Ismail Qemali, shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Ky akt ishte kurorëzimi i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për mbrojtjen e tërësisë tokësore dhe ngritjen e një shteti të pavarur shqiptar.
Në shpalljen e Pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, por 40 ishin firmëtarët që nënshkruan Aktin e Pavarësisë.
/Argumentum.al






























































