Presidenti rus Vladimir Putin tha të martën se Rusia nuk po planifikon të luftojë me vendet evropiane, por nëse Evropa nis një luftë, atëherë Rusia është “gati menjëherë”. Ai fajësoi vendet evropiane për atë që e përshkroi si mungesë të një “agjende paqësore”.
“Nëse Evropa dëshiron të bëjë luftë, atëherë Moska është gati tani,” tha Putin të martën.
Duke folur në një forum investimesh në Moskë, Putin fajësoi evropianët për moskryerjen e një “agjende paqësore” dhe theksoi se Evropa është “në anën e luftës”, duke iu referuar mbështetjes perëndimore për Ukrainën.
“Nëse Evropa vendos të shkojë në luftë me Rusinë dhe realisht e nis një luftë, situata mund të vijë shumë shpejt në një pikë ku Moska thjesht nuk ka më me kë të negociojë,” shtoi presidenti rus.
Sipas Putinit, qeveritë evropiane “jetojnë me iluzione” se mund t’i imponojnë Rusisë një humbje strategjike.
Putin gjithashtu tha se kërkesat evropiane për të dhënë fund pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia janë “të papranueshme” për Moskën.
Putin përsëriti edhe njëherë qëndrimin e Kremlinit: të negociojë vetëm me administratën amerikane dhe të mos lejojë liderët evropianë në tryezë, duke pretenduar se ata po “pengojnë” administratën amerikane dhe Presidentin Donald Trump në përpjekjet e tyre për të “arritur një marrëveshje paqeje përmes bisedimeve”.
Moska gjithashtu refuzoi të negociojë me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.
Rusia “po krijon mundësinë” për të luftuar kundër NATO-s
Zyrtarë gjermanë paralajmëruan së fundmi se presin që Rusia të jetë gati të sulmojë NATO-n në vitin 2029.
Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Johann Wadephul, deklaroi se vlerësimet e reja të inteligjencës tregojnë se Moska po përgatitet për mundësinë e një sulmi të ardhshëm kundër BE-së dhe NATO-s.
“Sherbimet tona të inteligjencës po lëshojnë paralajmërime urgjente: të paktën, Rusia po krijon mundësinë për veten që të zhvillojë luftë kundër NATO-s deri në vitin 2029,” thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.
“Duhet të frikësojmë agresionin e mëtejshëm rus, së bashku me partnerët dhe aleatët tanë,” shtohet më tej në deklaratë.
Vendet evropiane kanë regjistruar një rritje të aktivitetit të dyshuar të lidhur me Rusinë dhe sulmeve hibride të orkestruara nga Moska, duke përfshirë sulme kibernetike, tentativa sabotimi dhe madje edhe shkelje me dronë dhe raketa në hapësirën ajrore të NATO-s në Evropë.
Dronë të paidentifikuar kanë shkaktuar mbyllje aeroportesh në shtetet e Baltikut dhe vendet e Evropës Lindore, si dhe në Belgjikë dhe Gjermani. Avionë luftarakë rusë gjithashtu kanë kaluar në hapësirën ajrore të Estonisë.
/Argumentum.al




























































