Komisioni Evropian paraqiti sot një plan dyvjeçar financimi për Ukrainën, por një nga opsionet, përdorimi i aseteve të ngrira ruse në Evropë, vazhdon të kundërshtohet nga Belgjika.
Pjesa më e madhe e këtyre aseteve që i përkasin Bankës Qendrore ruse, të ngrira për shkak të sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës, mbahen në Belgjikë.
“Propozimi i Komisionit Evropian nuk adreson shqetësimet e Belgjikës dhe mbetet opsioni më i keq i mundshëm”, deklaroi sot ministri i Jashtëm belg, Maxime Prévot.
Komisioni propozoi dy opsione për të mbuluar një pjesë të nevojave të financimit të Ukrainës për vitin 2026 dhe 2027, të vlerësuara në 137 miliardë euro: një kredi evropiane ose përdorimi i aseteve të ngrira ruse në Evropë.
“Sot, ne po propozojmë të mbulojmë dy të tretat e nevojave të financimit të Ukrainës për dy vitet e ardhshme. Një e treta e mbetur do të duhet të sigurohet nga partnerët ndërkombëtarë, siç janë Britania e Madhe, Kanadaja ose Japonia”, deklaroi Von der Leyen.
Vendimi për t’iu drejtuar huamarrjes evropiane, e cila kërkon marrëveshjen unanime të shteteve anëtare, po has rezistencë nga disa prej tyre dhe kundërshtim radikal nga Hungaria.
Belgjika e vetme
Dhe për të mos e lëne Belgjikën të përballet e vetme me rreziqet, u propozua përdorimi i të gjitha aseteve ruse të ngrira në Evropë, përfshirë ato të vendosura, për shembull, në Francë.
”Euroclear” mban 210 miliardë euro asete ruse, 185 miliardë euro prej të cilave janë lehtësisht të arritshme.
25 miliardë euro të tjera ndodhen diku tjetër në Evropë, duke përfshirë 19 miliardë euro në Francë, sipas një burimi evropian.
Komisioni Evropian premtoi gjithashtu se të gjitha garancitë e nevojshme do t’u ofrohen vendeve që kontribuojnë në kredinë e riparimit, në radhë të parë Belgjikës.
“Belgjika kërkoi një mekanizëm të fuqishëm dhe një ndarje të barrës dhe ne iu përgjigjëm duke e vendosur këtë në zbatim”, siguroi Von der Leyen.
Kjo nuk është hera e parë që Belgjika ngurron.
Shumica dërrmuese e vendeve të BE-së, të udhëhequra nga Gjermania, e mbështesin këtë zgjidhje.
Ata e shohin atë si një mënyrë ekonomike për të siguruar mbështetje afatgjatë për Ukrainën dhe gjithashtu si një mjet për të ushtruar presion mbi Rusinë.
“Kjo duhet të nxisë më tej Rusinë që të angazhohet në tryezën e negociatave”, deklaroi Von der Leyen./AFP





























































