Në vijim të masave për të mbrojtur më mirë interesat e Danimarkës në një klimë ndërkombëtare të pasigurt, Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar kryerjen e disa riorganizimeve, ndër të cilat përfshihet edhe hapja e ambasadave të reja, sipas njoftimit të publikuar në faqen e saj zyrtare.
Në këtë kuadër, Danimarka planifikon të hapë ambasada të reja në Argjentinë dhe Shqipëri në vitin 2026.
Hapja e një ambasade në Shqipëri pritet t’i mundësojë Danimarkës të mbështesë më fuqishëm aspiratën e vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe të kontribuojë në forcimin e qëndrueshmërisë së tij, përfshirë edhe në përballjen me ndikimet e dëmshme ruse.
Pas publikimit të lajmit, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë reagoi duke e përshëndetur vendimin. Në deklaratë thuhet se “Hapja e Ambasadës Daneze në Tiranë shënon një moment të rëndësishëm në avancimin e dialogut dhe bashkëpunimit”, ndërsa i shpreh falënderime Danimarkës për angazhimin dhe mbështetjen për të ardhmen e përbashkët evropiane.
Ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, ka informuar gjithashtu Komitetin e Politikës së Jashtme lidhur me këto zhvillime, duke konfirmuar se të dy ambasadat e reja – në Argjentinë dhe Shqipëri – do të hapen në vitin 2026. Sipas njoftimit zyrtar, prania diplomatike në Tiranë do të fuqizojë partneritetin dhe do të ndihmojë në rritjen e qëndrueshmërisë së Shqipërisë përballë ndikimeve të jashtme negative.
/Argumentum.al





























































