Presidenti francez Emmanuel Macron e hapi fjalimin e tij të martën në Davos me një shaka, duke thënë: “Është një kohë paqeje, stabiliteti dhe parashikueshmërie”, gjë që shkaktoi të qeshura në sallë.
“Është e qartë se po hyjmë në një periudhë paqëndrueshmërie dhe çekuilibrash,” tha ai, duke përmendur zhvendosjet globale drejt autokracisë nga demokracia, pushtimin e Ukrainës nga Rusia dhe më shumë luftëra në mbarë botën — “edhe pse e kuptoj që disa prej tyre qenkan rregulluar,” tha ai me ironi ndaj presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka mburrur vazhdimisht se ka përfunduar disa luftëra që nga marrja e detyrës vitin e kaluar.
Presidenti francez paralajmëroi kundër “një bote ku e drejta ndërkombëtare shkelet nën këmbë” dhe një bote ku të fortët bëjnë çfarë të duan, ndërsa të dobëtit vuajnë atë që duhet të vuajnë.
Duke iu referuar mosmarrëveshjeve të fundit për Groenlandën, Macron e përshkroi kërcënimin e sanksioneve të mëtejshme nga SHBA ndaj Evropës si “themelisht të papranueshëm, aq më tepër kur përdoren si mjet presioni kundër sovranitetit territorial”.
Ai tha se dëshironte të përjashtonte dy qasje ndaj kërcënimeve të reja në botë: së pari, “pranimin pasiv të ligjit të më të fortit”, duke thënë se nuk ka kuptim të pranohet “një lloj qasjeje e re koloniale”.
Por Macron paralajmëroi gjithashtu kundër adoptimit të “një qëndrimi thjesht moral”, duke thënë se kjo rrugë “do të na dënonte me margjinalizim dhe pafuqishmëri”.
“Franca duhet të mbrojë multilateralizmin efektiv,” tha ai, ndërsa qeveria e tij do të marrë presidencën e G7 në vitin 2026.
“Ne preferojmë respektin ndaj bullizmit,” tha ai drejt fundit të fjalimit. “Ne preferojmë shkencën ndaj teorive konspirative. Ne preferojmë sundimin e ligjit ndaj brutalitetit.”
/Argumentum.al


























































