Kryeministri kinez Li Qiang kryesoi të hënën një simpozium për të mbledhur mendime e sugjerime mbi projektraportin e punës së qeverisë dhe projektskicën e Planit të 15-të Pesëvjeçar për Zhvillimin Ekonomik dhe Shoqëror.
Li, i cili është gjithashtu anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së, dëgjoi mendimet dhe sugjerimet mbi dy dokumentet nga udhëheqësit e komiteteve qendrore të partive politike jokomuniste, Federata Mbarëkineze e Industrisë dhe e Tregtisë, si edhe përfaqësuesit e personave pa parti.
Lidhur me zhvillimin ekonomik dhe shoqëror gjatë periudhës së Planit të 15-të Pesëvjeçar (2026-2030), përfaqësuesit në simpozium paraqitën sugjerime mbi forcimin e rregullimit makroekonomik, krijimin e një tregu të brendshëm të fuqishëm, nxitjen e forcave të reja prodhuese cilësore, thellimin e Reformës dhe Hapjes, si edhe mbrojtjen dhe përmirësimin e jetesës së njerëzve.
Li tha që mendimet dhe sugjerimet ishin të vlefshme dhe shprehu vlerësim për mbështetjen e tyre për punën e qeverisë.
Ai theksoi që ky vit shënon fillimin e periudhës së 15-të të Planit Pesëvjeçar, teksa pasiguritë në mjedisin e jashtëm janë në rritje dhe zhvillimi ekonomik i vendit vijon të përballet me rreziqe e sfida.
Kreu i qeverisë së Kinës bëri thirrje për ndjekjen e politikave makroekonomike më proaktive dhe efektive, për forcimin e bashkërendimit ndërmjet masave të reformës dhe makropolitikave, si edhe për promovimin e rritjes ekonomike me cilësi më të lartë, duke realizuar njëkohësisht një rritje të përshtatshme ekonomike.
Li shprehu shpresën që partitë politike jokomuniste, Federata Mbarëkineze e Industrisë dhe e Tregtisë dhe personat pa parti do të vazhdojnë të ofrojnë këshilla dhe sugjerime në mënyrë aktive, të ndihmojnë në përballimin e sfidave të rëndësishme për zhvillimin dhe të mbledhin më shumë mençuri e forca për përparimin e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror me cilësi të lartë./cgtn





























































