Një zëdhënëse e pjesës kontinentale të Kinës, kritikoi të mërkurën udhëheqësin e Tajvanit Lai Ching-te për komentet e tij të fundit që përshkruanin ndikimin e platformave të mediave sociale të Kinës kontinentale tek të rinjtë në Tajvan, si një rrezik potencial për sigurinë.
Duke folur në një konferencë për shtyp, Zhu Fenglian, një zëdhënëse e Zyrës së Çështjeve të Tajvanit të Këshillit të Shtetit, iu përgjigj komenteve që Lai bëri gjatë një bisede me nxënës të shkollave të mesme në Tajvan. Lai thuhet që tha se ndikimi në rritje i platformave të mediave sociale nga kontinenti, si TikTok dhe Xiaohongshu, midis brezit të ri të Tajvanit, me kalimin e kohës mund të minojë “vlerat demokratike” të rajonit dhe t’i bëjë të rinjtë ta “shohin Kinën më pozitivisht”. Ai kërkoi që autoritetet arsimore dhe kulturore të Tajvanit, ta adresojnë çështjen “në mënyrë të përshtatshme”.
“Për bashkatdhetarët e Tajvanit, njerëzit në Kinën kontinentale nuk janë vetëm njerëz të mirë, por edhe të afërmit dhe anëtarët e familjeve të tyre”, tha Zhu.
Ajo vuri në dukje se një numër në rritje i banorëve të Tajvanit, veçanërisht të rinjtë, po zgjedhin të përdorin platformat e mediave sociale të Kinës kontinentale, sepse ato ofrojnë përvoja më të pasura jetësore dhe mundësi më të mëdha për vetëshprehje. Ajo shtoi se këto platforma i kanë ndihmuar të rinjtë e Tajvanit të ndjekin rritjen personale, zhvillimin e karrierës dhe aspiratat e tyre.
Zhu tha se administrata Lai i ka njollosur vazhdimisht platformat dhe i ka frikësuar përdoruesit e rinj, duke shtuar se veprime të tilla zbulojnë “një ndjenjë pasigurie dhe frike”.
“Pavarësisht se sa shumë përpiqen autoritetet e Lai të pengojnë shkëmbimet dhe integrimin ndër-Ngushticë, ato do të përfundojnë me dështim”, shtoi Zhu. “Kufizime të tilla vetëm sa do t’i bëjnë këto platforma edhe më të njohura./cgtn



























































