Një marinar ka humbur jetën dhe tre të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një anije mallrash u fundos nga një goditje me dron në brigjet rumune të Detit të Zi. Presidenti rumun, Nicușor Dan, akuzoi Rusinë për përshkallëzimin e sulmeve pranë krahut lindor të NATO-s, raportoi Reuters.
Anija “Khoryv”, që lundronte nën flamurin e Komoreve, lëshoi sinjalin e emergjencës rreth 13 milje detare larg portit të Konstancës, pak përtej ujërave territoriale rumune. Në bord ndodheshin 13 marinarë ukrainas dhe azerë. Nëntë prej tyre u shpëtuan, ndërsa një trup u nxor nga deti. Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë për tre personat e zhdukur, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike.
Incidenti vjen në një periudhë të shtimit të sulmeve ndaj anijeve tregtare në brigjet e Rumanisë dhe Bullgarisë, dy vende anëtare të NATO-s. Sipas raportimit, gjatë dy javëve të fundit janë goditur të paktën shtatë anije mallrash.
Në përgjigje të zhvillimeve, NATO njoftoi se do të shtojë praninë e saj në Detin e Zi përmes avionëve të patrullimit detar, sistemeve radar dhe dronëve, pa përcaktuar ende kapacitetet konkrete që do të angazhohen.
Të shtunën e kaluar, avionët luftarakë rumunë rrëzuan dy dronë rusë mbi ujërat territoriale të vendit. Bukureshti e konsideron incidentin e fundit pjesë të përshkallëzimit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, me pasoja gjithnjë e më të dukshme për sigurinë në rajonin e Detit të Zi.
© 2026 Argumentum





















































