Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka dalë me propozimin që partitë politike të arrijnë marrëveshje për t’ia “vazhduar mandatin” si president ish-presidentit Hashim Thaçi.
Duke folur për ngërçin politik dhe përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje për presidentin e ardhshëm, Haradinaj tha se kjo çështje po përdoret si alibi për zvarritjen e formimit të institucioneve.
Sipas tij, do të ishte “nder” për përbërjen aktuale të Kuvendit që, pas kthimit të Thaçit, t’ia vazhdonte atij mandatin presidencial.
“Është nder edhe i kësaj legjislature dhe çdo legjislature që t’ia vazhdojmë mandatin presidentit Thaçi. Atij i është marrë mandati nga një ndërhyrje ligjore dhe, me kthimin e tij, është në nderin tonë si shqiptarë, si komb”, deklaroi Haradinaj.
Ai tha se propozimin nuk po e bën për shkak të ndonjë afërsie politike apo partiake me Thaçin, por siç u shpreh, si “kundërpërgjigje armiqve të Kosovës, që kurrë nuk flenë”.
Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit në nëntor të vitit 2020, pasi ndaj tij u konfirmua aktakuza nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Haradinaj tha gjithashtu se ekzistojnë edhe alternativa të tjera për tejkalimin e ngërçit dhe se vendi nuk duhet të vazhdojë të mbahet peng nga mungesa e marrëveshjes politike.
“Ka edhe ‘x’ opsione që mos me e mbajt peng vendin”, deklaroi ai.
Ai drejtoi kritika edhe ndaj Albin Kurtit, duke e akuzuar për zvarritjen e procesit të formimit të institucioneve.
/Argumentum.al





























































