Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se sot përfundoi operacioni për riatdhesimin vullnetar nga Siria të pesë shtetasve shqiptarë, nga të cilët gra e fëmijë.
Operacioni është kurorëzim i një pune të gjatë dhe të kujdesshme, që kërkoi koordinim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve shqiptare, përfaqësive tona diplomatike dhe konsullore, si dhe autoriteteve të vendeve të përfshira.
MEPJ thekson se riatdhesimi i shtetasve shqiptarë nga zona të prekura nga konflikti është shprehje e përgjegjësisë së shtetit për mbrojtjen e qytetarëve të vet, edhe në rrethana të vështira dhe komplekse.
Kthimi i tyre në atdhe përmbyll një fazë të rëndësishme të këtij procesi, por jo përgjegjësinë institucionale ndaj tyre.
“Pas mbërritjes në Shqipëri, shtetasve të riatdhesuar do t’u ofrohet asistenca e nevojshme dhe do të kryhen vlerësimet shëndetësore dhe psikosociale. Institucionet përgjegjëse do të vijojnë në mënyrë të koordinuar punën për akomodimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri”, thuhet në njoftimin zyrtar
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme falënderon institucionet dhe strukturat shqiptare të angazhuara në këtë proces, si dhe autoritetet e huaja, veçanërisht ato siriane, që mundësuan përfundimin e procedurave dhe tranzitin e sigurt të shtetasve.
“Realizimi i operacionit dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të veprimit të bashkërenduar në përmbushjen e përgjegjësive të shtetit ndaj qytetarëve të tij. Task-Forca ndërinstitucionale do të vijojë punën si për ndjekjen e plotë të procesit të rehabilitimit dhe riintegrimit, ashtu edhe për riatdhesimin e shtetasve të tjerë shqiptarë, sa herë që krijohen kushtet e nevojshme për kthimin e tyre të sigurt”, përfundon deklarata e MEPJ-së.
© 2026 Argumentum















































