Lojërat e Dyta Botërore të Robotëve Humanoidë, të mbajtura në Pekin nga 22 deri më 26 gusht, tërhoqën vëmendje dhe vlerësime pozitive nga shumë media të huaja. Gjatë pesë ditëve konkurruan 666 ekipe dhe 2056 robotë nga 16 vende të gjashtë kontinenteve, duke sjellë një festë teknologjike futuriste për botën. Si veprimtaria e parë gjithëpërfshirëse në botë me robotët humanoidë si pjesëmarrësit kryesorë, Lojërat Botërore të Robotëve Humanoidë shërbyen si një terren testimi për robotët dhe një dritare e rëndësishme në zhvillimin e industrisë robotike.
Krahasuar me edicionin e mëparshëm, një tipar kryesor i Lojërave të këtij viti është “më shpejt dhe më lart”. Për më tepër, robotët humanoidë janë “më të aftë”. Këtë vit, në shumë disiplina u eliminua kontrolli manual me telekomandë, duke zgjedhur në vend të kësaj funksionimin plotësisht autonom, duke testuar drejtpërdrejt aftësinë e robotëve për të perceptuar mjedisin e tyre dhe për të marrë vendime të pavarura. Po ashtu, 21 nga 51 garat simuluan skenarë aplikimi në botën reale, duke mbuluar fusha të shumta si shtëpia, hotelet dhe logjistika, duke e sjellë mjedisin e testimit drejtpërdrejt në realitet.
Midis tyre, robotët kinezë u paraqitën jashtëzakonisht mirë. Nga thyerja e rekordeve njerëzore në vrapimin 100 metra deri te shpërndarja autonome e furnizimeve dhe dhënia e udhëzimeve të sakta pacientëve në spitale, robotët kinezë kryen me sukses detyra të shumta. Për shembull, Qendra e Inovacionit të Robotikës Humanoide e Pekinit mori pjesë me katër lloje robotësh në mbi 40 gara, duke arritur rezultate të shumta të shkëlqyera.
Pas çdo përparimi qëndron rezultati i përmirësimit të përsëritur teknologjik dhe viteve të ekspertizës së akumuluar. Në vitet e fundit, robotët kinezë kanë përshpejtuar kalimin e tyre nga aplikimi në laborator në atë në shkallë të gjerë, duke i dhënë një vrull të ri zhvillimit me cilësi të lartë. Të dhënat tregojnë që aplikimi i robotëve industrialë të markës kineze ka përfshirë 253 sektorë të ekonomisë kombëtare. Në gjysmën e parë të këtij viti, dërgesat e robotëve humanoidë të Kinës i tejkaluan 40 000 njësi, duke e rritur pjesën e tyre globale në 97 %, dhe eksportet e robotëve humanoidë në tremujorin e parë u shtuan me 210 % në bazë vjetore.

Pse industria e robotëve humanoidë në Kinë po evoluon kaq shpejt? Analistët theksojnë që ky është rezultat i një kombinimi faktorësh, duke përfshirë rritjen e mbështetjes me politika, një sistem të plotë industrial, aftësi të forta prodhuese, epërsi të konsiderueshme në kosto dhe skenarë të pasur aplikimi. Plani i 15-të Pesëvjeçar përshkruan inteligjencën e mishëruar si një element kyç strategjik për industritë e ardhshme të vendit, duke i dhënë vrull të mëtejshëm industrisë së robotikës. “Reuters” beson se përparimet në inteligjencën artificiale dhe teknologjitë e pajisjeve të Kinës do të përshpejtojnë zbatimin e robotëve humanoidë në prodhim, logjistikë dhe skenarët e konsumit.
Për Kinën, organizimi i Lojërave Botërore të Robotëve Humanoidë nuk ka të bëjë vetëm me bërjen e robotëve “të vrapojnë më shpejt, të kërcejnë më lart dhe të jenë më praktikë”, por edhe me ndërtimin e një platforme të hapur dhe bashkëpunuese për të promovuar përparimin e teknologjisë së robotikës dhe zhvillimin industrial në mbarë botën.
Në vitet e fundit, Kina ka ndërtuar ura për shkëmbimin global të teknologjisë dhe përputhjen e ofertës e kërkesës, duke organizuar një sërë veprimtarish ndërkombëtare, duke përfshirë Konferencën Botërore të Inteligjencës Artificiale, Konferencën Botërore të Robotikës dhe Lojërat Botërore të Robotëve Humanoidë, duke përshpejtuar zbatimin e teknologjive. Në të njëjtën kohë, Kina mbështet fuqimisht burimin e hapur dhe në mënyrë proaktive i ofron botës modele me kosto të ulët dhe burim të hapur në shkallë të gjerë, duke ulur në mënyrë efektive pragun global të inovacionit dhe duke promovuar zhvillimin e Jugut Global.
Teksa vizioni i “robotëve që bashkëveprojnë me njerëzit si infermierë, kamerierë ose ndihmës” vazhdon që të bëhet realitet, bota po e sheh më qartë se logjika themelore e inovacionit teknologjik të Kinës është gjithmonë bashkëpunimi i hapur, përfitimi i ndërsjellë dhe rezultatet fitimprurëse për të gjithë, duke promovuar shkencën e teknologjinë për qëllime të mira dhe duke siguruar që frytet e zhvillimit teknologjik t’u sjellin vërtet dobi të gjithëve./cgtn




















































