Bekim Sejdiu ka njoftuar se është tërhequr nga kandidatura për president të Republikës së Kosovës.
Sejdiu në një postim në Facebook ka thënë se duke u marrë parasysh rrethanat, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për t’u zgjedhur e po ashtu nga devijimi i tërë procesit, ka vendosur të tërhiqet dhe se për këtë ka njoftuar edhe përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje.
Sejdiu ka shkruar se para dy javësh ishte kontaktuar nga përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ishte ftuar në një takim me delegacionet e LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas tij, në atë takim ishte njoftuar se, pas një procesi të gjatë të bisedimeve, të dyja partitë kishin arritur pajtueshmëri që ai të propozohej si kandidat jopartiak për president.
Sejdiu ka thënë se e kishte pranuar kandidaturën duke pasur parasysh krizën institucionale dhe nevojën për zhbllokimin e situatës politike.
“Duke qenë i vetëdijshëm për periudhën e vështirë nëpër të cilën po kalon vendi ynë dhe për rrezikun që kriza institucionale të thellohet, kam pranuar të jem kandidat për President të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.
Megjithatë, sipas Sejdiut, procesi nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e nevojshme në Kuvend.
“Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si President dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ai.
/Argumentum.al





















































