Papa Leo XIV kremtoi të shtunën një meshë në ajër të hapur në Place de la Concorde në Paris, ku, sipas Vatikanit, u mblodhën rreth 800 mijë njerëz përgjatë më shumë se dy kilometrave, deri pranë Harkut të Triumfit.
I shoqëruar nga turma të mëdha, Papa Leo udhëtoi me “papamobil” përgjatë Champs-Élysées përpara se të drejtonte meshën, në ditën e dytë të vizitës së tij katërditore në Francë.
“Është vërtet mirë dhe e bukur kur vëllezërit dhe motrat bashkohen dhe madhërojnë madhështinë e Zotit”, tha Papa gjatë meshës.
Qendra e Parisit u mbyll për ceremoninë, ndërsa masat e sigurisë përfshinë helikopterë dhe snajperë të vendosur në çatitë e ndërtesave. Një ditë më parë, rreth 300 mijë njerëz kishin dalë në rrugë për të parë Papën gjatë udhëtimit të tij drejt Katedrales Notre-Dame.
Vizita zhvillohet në një Francë laike, por me rrënjë të thella katolike, dhe vetëm disa muaj përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm. Në meshë morën pjesë edhe disa figura politike, mes tyre Marine Le Pen dhe Édouard Philippe, ndërsa presidenti Emmanuel Macron nuk ishte i pranishëm dhe u përfaqësua nga bashkëshortja e tij, Brigitte Macron.
Më herët gjatë ditës, Papa Leo takoi migrantë në qendrën Maison Bakhita, ku bëri thirrje për bashkëjetesë në dinjitet dhe paqe dhe theksoi rolin e grave në ndërtimin e një “qytetërimi të dashurisë”.
Në mbrëmje, Papa udhëtoi drejt Lourdes, një nga vendet më të rëndësishme të pelegrinazhit katolik. Në shpellën e Massabielle, ku tradita katolike thotë se Virgjëresha Mari iu shfaq Bernadetës në vitin 1858, ai u lut për Francën dhe për “udhëheqës të mençur e bujarë”, duke bërë thirrje për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut dhe paqes.
Të dielën, Papa Leo XIV pritet të takohet me shtatë persona që kanë qenë viktima të abuzimit seksual nga klerikët. Një hetim i vitit 2021 vlerësoi se rreth 330 mijë të mitur ishin abuzuar në Francë nga klerikë ose persona laikë të lidhur me Kishën gjatë shtatë dekadave.
© 2026 Argumentum





















































