Një kundërpërgjigje ndaj Albatros Rexhajt. Pse feja nuk duhet të bëhet busull e orientimit gjeopolitik të Kosovës.
Nga Marjana Doda
Në analizën e tij të botuar në Türkiye Today, me titullin “Belgrade needs Kosovo to be Muslim. Türkiye should ask why”, Albatros Rexhaj e vendos zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës si presidente të Kosovës në një kontekst më të gjerë gjeopolitik. Sipas tij, fakti që një presidente katolike është zgjedhur në një vend me shumicë myslimane mund të shërbejë si argument për diplomacinë turke në mbështetje të njohjes ndërkombëtare të Kosovës dhe si kundërpërgjigje ndaj narrativës serbe që e paraqet Kosovën përmes identitetit fetar të shumicës së popullsisë së saj.
Rexhaj nis nga një parim i drejtë. Turqia nuk duhet ta mbështesë Kosovën sepse shumica e qytetarëve të saj janë myslimanë, por sepse pavarësia e saj është legjitime, institucionet e saj janë sovrane dhe qytetarët kanë të drejtë të jetojnë në siguri, pavarësisht besimit fetar.
Megjithatë, pikërisht këtu fillon pyetja që artikulli nuk e shtjellon deri në fund. Nëse feja nuk duhet të përcaktojë mënyrën se si gjykohet Kosova, përse përkatësia katolike e presidentes duhet të bëhet pikënisja e një argumenti të posaçëm për diplomacinë turke? Dhe, nëse kjo përkatësi nuk ishte kriter përcaktues në zgjedhjen e saj, çfarë e bën atë një zhvillim të ri strategjik për Ankaranë?
Ky interpretim ngre një çështje të rëndësishme për mënyrën se si Kosova perceptohet jashtë kufijve të saj. Megjithatë, ai rrezikon të hyjë në të njëjtën kornizë interpretimi që synon të kundërshtojë idenë se feja është një tregues vendimtar i identitetit politik dhe orientimit gjeopolitik të Kosovës.
Problemi nuk qëndron te diskutimi për fenë, ndikimin e saj apo rolin e diplomacisë fetare. Ai lind kur përkatësia fetare e presidentes përdoret si argument për të përcaktuar identitetin e Kosovës si shtet dhe për të vlerësuar shkallën e përkatësisë së saj evropiane.
Një presidente duhet vlerësuar përtej përkatësisë fetare
Justina Shiroka-Pula u zgjodh me 81 vota në Kuvendin prej 120 deputetësh, në një moment kur institucionet e Kosovës përballeshin me një afat kushtetues dhe rrezikun e zgjedhjeve të reja. Raportimet mbi zgjedhjen e saj e vendosën në qendër profilin e saj si ekonomiste, akademike dhe presidente e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe kompromisin politik që mundësoi përfundimin e procesit.
Këto rrethana janë thelbësore për të kuptuar zgjedhjen. Ato nuk provojnë se përkatësia fetare nuk ka asnjë rëndësi në perceptimin publik, por tregojnë se procesi ka një kontekst politik dhe institucional që nuk mund të zëvendësohet me një lexim fetar.
Përvoja akademike, formimi profesional, integriteti, aftësia për të përfaqësuar institucionin dhe mënyra e ushtrimit të mandatit janë kriteret që duhet të udhëheqin vlerësimin e një presidenteje. Përkatësia fetare mund të jetë pjesë e biografisë së saj, por nuk duhet të bëhet as provë e karakterit të shtetit dhe as burim i një legjitimiteti shtesë.
Nëse një presidente katolike do të konsiderohej dëshmi se Kosova është më evropiane, çfarë do të nënkuptonte zgjedhja e një presidenteje myslimane? A do të duhej Kosova të gjente një tjetër mënyrë për të dëshmuar se nuk është një projekt fetar?
Kz është pikërisht kurthi i këtij argumenti. Ai rrezikon të pranojë, qoftë edhe pa dashje, se identiteti fetar i udhëheqësit është një provë e vlefshme për identitetin politik të shtetit.
Në një shtet laik, feja nuk është kriter përfaqësimi
Kushtetuta e Kosovës e përcakton qartë karakterin e shtetit. Neni 8 thotë se Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështjet e besimeve fetare. Ky nuk është një formulim simbolik, por parim kushtetues që përcakton marrëdhënien mes shtetit, qytetarit dhe fesë.
Fakti që shumica e popullsisë identifikohet si myslimane nuk u jep qytetarëve myslimanë më shumë të drejta politike sesa qytetarëve katolikë, ortodoksë apo atyre që nuk identifikohen me asnjë fe. Ata nuk kanë më shumë të drejtë të zgjidhen, të zgjedhin apo të përfaqësojnë shtetin për shkak të përkatësisë fetare. E njëjta vlen në drejtimin e kundërt: një presidente katolike nuk fiton legjitimitet shtesë sepse i përket një komuniteti fetar më të vogël.
Kjo nuk është çështje tolerance, sikur një shumicë të lejonte me dashamirësi praninë e një pakice. Është çështje e barazisë së qytetarëve dhe e të drejtave që u takojnë të gjithëve.
Kosova nuk është laike sepse në krye të saj është zgjedhur një katolike. Ajo është laike sepse ushtrimi i pushtetit, të drejtat qytetare dhe përfaqësimi politik nuk duhet të varen nga feja. Ky parim do të mbetej po aq i vlefshëm edhe sikur presidentja të ishte myslimane.
Prandaj, rëndësia e zgjedhjes së Shiroka-Pulës nuk qëndron te nevoja për ta paraqitur atë si kundërargument ndaj shumicës myslimane, por te mundësia që ajo, si presidente e të gjithë qytetarëve, të përfaqësojë një shtet ku përkatësia fetare nuk përcakton kufijtë e qytetarisë.
Për dekada, diskursi nacionalist serb e ka përdorur përkatësinë myslimane të shqiptarëve si element për të vënë në pikëpyetje identitetin e tyre evropian dhe për ta paraqitur Kosovën si një hapësirë të huaj për traditën e krishterë të Evropës. Kjo është një kornizë politike dhe identitare që duhet analizuar e kundërshtuar me fakte, jo pranuar si pikënisje e detyrueshme e debatit.
Por kundërshtimi i saj nuk mund të mbështetet te ideja se një presidente katolike e bën më të lehtë dëshminë e karakterit evropian të Kosovës. Në këtë mënyrë, feja vazhdon të trajtohet si njësi matëse e përkatësisë evropiane, vetëm se ndryshon drejtimi i argumentit.
Kosova ka një arsye të veçantë për të qenë e kujdesshme në këtë debat. Në diskursin publik të rajonit, identitetet fetare shpesh janë përdorur për të ndarë komunitete që kanë bashkëjetuar, për të vënë në dyshim përkatësinë kombëtare ose për të ndërtuar hierarki simbolike mes tyre. Në disa narrativa, myslimani shqiptar shihet si më pak evropian, në të tjera, katolicizmi paraqitet si një provë më e fortë e përkatësisë perëndimore, ndërsa ortodoksia identifikohet në mënyrë përjashtuese me identitetin serb.
Harmonia fetare, një trashëgimi që mund të bëhet kapital diplomatik
Përgjigjja ndaj paragjykimeve për identitetin shqiptar nuk duhet të jetë përpjekja për t’u dukur më pak myslimanë, më shumë katolikë apo më të përshtatur me pritshmëritë fetare të një publiku të caktuar. Përgjigjja duhet të jetë dëshmimi i vlerave që shqiptarët kanë kultivuar përgjatë historisë, mes tyre bashkëjetesa dhe harmonia fetare.
Kjo harmoni nuk duhet idealizuar sikur historia shqiptare të mos ketë njohur kurrë tensione apo dallime. Vlera e saj qëndron te fakti se përkatësitë e ndryshme fetare kanë mundur të bashkëjetojnë me një ndjenjë të përbashkët identiteti dhe përkatësie shoqërore. Myslimanët, katolikët, ortodoksët dhe njerëzit pa përkatësi fetare mund të ndajnë të njëjtën hapësirë qytetare pa pasur nevojë të heqin dorë nga bindjet e tyre.
Kjo nuk është vetëm një trashëgimi kulturore. Është edhe një mundësi diplomatike.
Unë besoj te diplomacia e butë, te fuqia e kulturës, e fesë, e dijes dhe e komunikimit akademik për të ndërtuar ura mirëkuptimi mes shoqërive. Në një botë ku ndikimi ndërkombëtar nuk ushtrohet vetëm përmes fuqisë ushtarake dhe ekonomike, por edhe përmes kulturës, arsimit, besimit dhe shkëmbimit të ideve, Kosova ka mundësi ta kthejë përvojën e saj shoqërore në kapital diplomatik.
Kultura, institucionet fetare, universitetet dhe akademitë mund të krijojnë hapësira bashkëpunimi që shkojnë përtej diplomacisë tradicionale. Shkëmbimet akademike, projektet e përbashkëta kërkimore, ruajtja e trashëgimisë kulturore, dialogu ndërfetar dhe bashkëpunimi mes institucioneve mund ta paraqesin Kosovën si një shoqëri që nuk i sheh dallimet si pengesë, por si pjesë të një realiteti të përbashkët.
Harmonia fetare nuk duhet përdorur si dekor diplomatik apo si slogan që përsëritet sa herë që vihet në dyshim identiteti shqiptar. Ajo duhet të jetë e dukshme në jetën institucionale, në respektimin e komuniteteve, në edukimin e brezave dhe në marrëdhëniet e Kosovës me botën.
Turqia, bashkëpunim pa reduktim identitar
Thirrja e Rexhajt ndaj Ankarasë ngre një çështje legjitime në pamje të parë. Si mund ta përdorë Turqia peshën e saj rajonale për të zgjeruar njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe për të mbështetur integrimin e saj euroatlantik? Por lidhja e kësaj kërkese me përkatësinë katolike të presidentes kërkon një shpjegim që argumenti i tij nuk e jep.
Pra si shndërrohet ky fakt simbolik në ndikim konkret diplomatik?
Nuk duhet të harrojmë se politika turke në Ballkan udhëhiqet nga interesa politike, ekonomike dhe strategjike. Ankaraja mban marrëdhënie të rëndësishme si me Kosovën, ashtu edhe me Serbinë. Ky realitet sigurisht nuk e zbeh vlerën e partneritetit turko-kosovar, por tregon se mbështetja e Turqisë nuk mund të shpjegohet vetëm përmes afërsisë historike apo fetare.
Nëse Rexhaj kërkon një angazhim më të madh të Ankarasë, argumenti duhet të identifikojë instrumentet konkrete që Turqia mund të përdorë për të zgjeruar njohjet dhe për të forcuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Përkatësia fetare e presidentes mund të dëshmojë pluralizmin e shoqërisë kosovare, por nuk provon se ajo krijon mundësi të reja diplomatike apo ndryshon llogaritjet e shteteve që ende nuk e njohin Kosovën.
Padiskutim, Kosova ka interes të thellojë bashkëpunimin me Turqinë dhe të përfitojë nga lidhjet e saj kulturore, ekonomike e politike, mbi bazën e interesave të përbashkëta dhe rezultateve konkrete. Ndërkohë, zgjerimi i njohjes ndërkombëtare kërkon angazhim në Evropë, në botën myslimane, në Azi, në Afrikë dhe në organizatat ndërkombëtare, përmes strategjisë, argumenteve juridike e politike dhe punës institucionale. Ankarasë duhet t’i kërkohet më shumë angazhim diplomatik, jo t’i paraqitet përkatësia fetare e presidentes si argument për këtë angazhim.
Të mos biem në kurthin e religjiozizimit të debatit
Kosova duhet të tregojë kujdes që të mos bjerë në kurthin e religjiozizimit të debatit politik, një kornizë që Serbia sikundër e theksova më sipër e ka përdorur herë pas here për ta interpretuar çështjen e Kosovës përmes përkatësisë fetare të shumicës së popullsisë. Kur statusi, identiteti dhe orientimi ndërkombëtar i Kosovës paraqiten si çështje që duhen shpjeguar përmes raportit midis islamit dhe krishterimit, debati zhvendoset nga e drejta, sovraniteti, institucionet dhe vullneti politik i qytetarëve drejt një ndarjeje fetare që nuk duhet të përcaktojë legjitimitetin e shtetit.
Feja le të jetë pjesë e vlerave shoqërore, kulturore dhe njerëzore, por jo përcaktuese e orientimeve dhe interesave gjeopolitike të Kosovës. Nuk mund të bëhemi pjesë e këtij kurthi, i cili më shumë sesa bashkon, ndan. Shqiptarët, sot më shumë se kurrë, duhet të jenë bashkë, të bashkuar nga historia, interesat kombëtare dhe vizioni për të ardhmen, jo të ndarë nga përkatësitë fetare.
Pikërisht për këtë arsye, përpjekjet për t’iu kundërvënë narrativës serbe nuk duhet të mbështeten në të njëjtën premisë që synojnë të rrëzojnë, sikur identiteti fetar të ishte kriter i përkatësisë politike apo qytetërimore. Nëse Kosovës i kërkohet të dëshmojë karakterin e saj evropian duke vënë në pah përkatësinë katolike të presidentes, rrezikohet që, pa dashje, të pranohet ideja se një identitet fetar e bën një shtet më evropian se një tjetër.
Përgjigjia ndaj instrumentalizimit të fesë nuk mund të jetë instrumentalizimi i saj në kahun e kundërt. Trashëgimia e bashkëjetesës ndërfetare është një pasuri që duhet promovuar përmes diplomacisë kulturore, akademike dhe ndërfetare, por jo për ta futur Kosovën në një garë simbolesh fetare me Serbinë apo me çfarëdo aktori tjetër. Ajo duhet të dëshmojë pjekurinë e shoqërisë shqiptare, respektin për pluralizmin dhe barazinë e qytetarëve.
Kosova nuk ka pse të dëshmojë se është më pak myslimane për të qenë evropiane. Identiteti i saj evropian përcaktohet nga cilësia e institucioneve, standardet demokratike, respektimi i të drejtave dhe karakteri laik i shtetit. Feja duhet të mbetet hapësirë lirie, besimi dhe bashkëjetese, ndërsa orientimi gjeopolitik i Kosovës duhet të udhëhiqet nga interesat kombëtare, parimet demokratike dhe rendi juridik, jo nga përkatësia fetare e qytetarëve apo e udhëheqësve të saj.
© 2026 Argumentum




















































