Sipas raportimeve, Lai Chingte mbajti së fundmi një të ashtuquajtur fjalim për “Dhjetë Tetorin”, gjatë të cilit pretendoi se pjesa kontinentale e Kinës po ushtron vazhdimisht presion ushtarak për të ndryshuar statukuonë në Ngushticën e Tajvanit. Ai bëri gjithashtu thirrje për rritjen e investimeve në mbrojtje dhe forcimin e “qëndrueshmërisë mbrojtëse të të gjithë shoqërisë”.
Në përgjigjen e tij, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Kinës Chen Xi u shpreh që në botë ekziston vetëm një Kinë dhe Tajvani është pjesë e Kinës. Ky është realiteti i vërtetë i statukuosë në Ngushticën e Tajvanit. Lai Chingte vazhdon t’i përmbahet me kokëfortësi qëndrimit për “pavarësinë e Tajvanit”, duke shtrembëruar të vërtetën, duke ekzagjeruar të ashtuquajturin “kërcënim ushtarak nga pjesa kontinentale” dhe duke nxitur përçarje e përballje mes dy anëve të ngushticës. Përpjekjet e tij për të kërkuar “pavarësinë nëpërmjet forcës ushtarake” dhe “pavarësinë duke u mbështetur te forcat e jashtme” zbulojnë edhe një herë natyrën e tij si “fatkeqësi për Tajvanin” dhe “kërcënim për paqen”.
Vitet e fundit, autoritetet e Partisë Demokratike Progresive (DPP), për interesa partiake, kanë nxitur përpjekjet për “pavarësi” dhe kundërshtimin e ribashkimit, duke kërkuar mbështetjen e forcave të jashtme. Ato kanë promovuar me forcë të ashtuquajturat politika të “mobilizimit ushtarak të të gjithë popullsisë” dhe “shndërrimit të gjithë Tajvanit në fushëbetejë”, duke i lidhur banorët e Tajvanit me përpjekjet separatiste për “pavarësinë e Tajvanit”, duke dëmtuar qëndrueshmërinë në ngushticë dhe duke sakrifikuar të ardhmen e Tajvanit. Stërvitjet e rregullta të Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës rreth ishullit të Tajvanit synojnë të pengojnë veprimet separatiste për “pavarësinë e Tajvanit” dhe ndërhyrjet e forcave të jashtme, si edhe të mbrojnë sigurinë dhe mirëqenien e banorëve të Tajvanit. Këto veprime janë plotësisht të ligjshme dhe të justifikuara, theksoi Chen.
“‘Pavarësia e Tajvanit’ dhe paqja në Ngushticën e Tajvanit janë të papajtueshme. Ribashkimi i atdheut përfaqëson prirjen e përgjithshme historike, një kauzë të drejtë dhe aspiratën e popullit. Shpresojmë që bashkatdhetarët në Tajvan të kuptojnë rreziqet dhe pasojat serioze të përpjekjeve të vazhdueshme të autoriteteve të Lai Chingte-së për ‘pavarësi’ dhe të bashkohen me ne për të kundërshtuar me vendosmëri forcat separatiste të ‘pavarësisë së Tajvanit’ dhe ndërhyrjet e jashtme, për të mbrojtur së bashku një atdhe paqësor e të sigurt dhe për të ndarë përfitimet dhe lavdinë e rilindjes kombëtare,” shtoi zëdhënësi. /cgtn





















































