Prof. Dr. Enver Bytyçi
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shpesh mburret me frazën e tij “Kam sjellë miq për Shqipërinë”! Këtë frazë ai e përdor për të evokuar dy elementë: – Së pari, për të treguar se përmes marrëdhënieve të tij personale ka arritur të sjellë në Shqipëri personalitete politike të fuqishme të kontinentit europian, të SHBA-ve dhe të vendeve të rajonit të Gjirit Persik. Dhe së dyti, për të evokuar vizitat e shpeshta të personaliteteve të njohura në fushën e turizmit, arkitekturës etj. Në këtë kapitull hyn edhe mburrja që ai bën për zyrat prestigjoze të projektimit të pasqyruara në librin e fundit me 800 faqe. Formalisht Edi Rama është në rregull me deklaratën e tij. Ai, duke shfrytëzuar lidhjet e tij mafioze e jo mafioze, ka arritur që t’i bindë europianët për samite në Tiranë, madje edhe për samitin e Komitetit Politik të Europës dhe samitin europian për Ukrainën. Ka mundur të joshë personalitete të ndryshme që të vijnë në Titanë, si Dua Lipën etj dhe të promovojë turizmin shqiptar me ta. Po a mjafton kjo?
Eshtë e vërtetë se kryeministri shqiptar ka bërë miq në rajon, në kontinent e në botë. Po a u bënë këta miq të Edi Ramës edhe miq të Shqipërisë?! Çfarë impakti patën kontaktet e tij miqësore në ekonominë shqiptare? Në 13-14 vite të qeverisjes së tij sa kompani prestigjioze operojnë në energjitikën shqiptare, përveç dy anijeve fantazmë në Vlorë? Çfarë solli Edi Rama me miqësitë e tij për gazifikimin e Shqipërisë përmes TAP?! Po për infrastrukturën dhe fusha të tjera të investimeve?! Si u soll ai me naftën shqiptare që prodhohet?! Kur erdhi Ursula von der Leyen për vizitë në Tiranë, vepra më e madhe ku ajo u ndal, ishte shkolla “Edit Durham”, e ndërtuar me fondet e Komisionit Europian!
Por le të jemi më konkretë:
Në fillim dua të përmend se Edi Rama erdhi në pushtet me logon “Zero probleme me fqinjët”! Paralajmëroi me këtë marrëdhëniet miqësore me Serbinë dhe presidentin e saj, Aleksandër Vuçiq. Dihen tashmë samitet, takimet, promovimet, panairet, përqafimet e përbashkëta Rama-Vuçiq. E çfarë sollën? Mbytjen e tregut shqiptar me prodhimet serbe dhe paralizimin e bujqësisë shqiptare! Hapjen me Shqipërinë të Serbisë dhe izolimin e Kosovës! Miqësi e nisma rajonale me Beogradin, por gjithnjë kundër Kosovës! Aq sa gazetari i njohur gjerman, Martens, e konsideroi si “Kryeministrin shqiptar më të mirin për Serbinë prej kohës së Pashiçit (1912-1926). Madje miqësia Rama-Vuçiq solli edhe përkeqësim të gjendjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe përçarje të faktorit shqiptar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Luginë dhe Mal të Zi. Kush më tregon një periudhë tjetër përçarjeje më të madhe sesa koha e sundimit të Ramës, le të më sfidojë me fakte! Miqtë e tjerë në rajon, me të cilët Edi Rama u mor me ta, ishin të gjithë miqtë e Beogradit, duke filluar nga Dritan Abazoviç e deri te Zaev dhe Dodik! Hyni në youtub dhe gjeni raste pafund!
Kryeministri Rama solli në Shqipëri shumë liderë europianë. Por në ballin e oxhakut ai vu gjithmonë presidentin e Francës, Emmanuel Macron. Atë e respektoi më së shumti. La menjanë Scholzin për ta respektuar Macronin. Me Angela Merkel nuk i shkoi deri në fund kuvendi. Po ashtu nisi miqësi të ngushtë me Erdogan dhe e tradhtoi atë rrugës. Nga SHBA nuk solli njeri në Shqipëri, përveçse mikun e përbashkët të Sorosit, Antony Blinken. Po, mos harroj. Solli gjithashtu mikun tjetër amerikan McGonigal, një personazh kriminal si në filmat e Hollivudit, që bashkëpunoi me Edi Ramën, por jo për Shqipërinë. Bashkëpunuan për ta shkatërruar pluralizmin në Shqipëri dhe për të grabitur miliona nga shqiptarët oligarkë, po ashtu miq të Edi Ramës.
Po nuk përfundon këtu miqësia e Edi Ramës me personalitetet me jashtë. Ai pati miqësi me krerët e kartelit të drogës së Sinaloas së Meksikës dhe me shumë kartele të tjera, ku kanë rol shqiptarët trafikantë me të cilët kryeministri i Shqipërisë mban lidhje të ngushta. Miqësitë e tij u shndërruan në fatkeqësi për shqiptarët. Kështu përfundoi miqësia e propaganduar me Alabarin e Durrës-Marina. Njëmijë probleme ia solli Shqipërisë me miqësitë që Rama lidhi psh me Ron Yeffet. Sa e sa Rona ka sjellë në Shqipëri kryeministri ynë për ta vjedhur dhe grabitur vendin tonë dhe për të bërë ato “punët e psita” që i deklaron vetë Roni. Nëse një kryeministër mburret me “miqësitë” e tij të ndërtuara me paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe territoret shqiptare, kjo është akt tradhtie dhe jo prodhim miqësish për Shqipërinë. Të mburresh se bën miq, duke u falur firmave fantazmë të miqve të Ramës paratë që ne paguajmë përmes taksave të shtetit, kjo është më shumë se tradhti. Miqësia këtu shndërrohet në shfrytëzim, sundim, varfëri, mizerie sociale dhe ekonomike etj. Kjo lloj miqësie e Edi Ramës e ka emrin djallëzi, por kurrësesi miqësi.
Kur Edi Rama përmend miqësitë ai duhet të skuqet. Sepse është i aftë të bëjë miq ata që i vendosin sanksione Kosovës dhe bllokojnë sanksionet për Serbinë, por nuk qe i zoti ta bëjë mik kryeministrin e Kosovës. Edhe kur i bëri miq disa politikanë të Kosovës, ata i panë sherrin atij, sepse zbatuan këshillat e djallëzorit Edi Rama!
© 2026 Argumentum





















































