Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi paraqiti të enjten katër propozime për forcimin e bashkëpunimit midis shteteve anëtare të Konferencës për Ndërveprimin dhe Masat e Krijimit të Besimit në Azi (CICA), gjatë pjesëmarrjes në Samitin e shtatë të CICA-s.
Wang tha se CICA është një platformë për dialog dhe bashkëpunim, e iniciuar dhe e ndërtuar së bashku nga vendet aziatike.
Që nga themelimi i saj, CICA ka mbrojtur në mënyrë aktive Pesë Parimet e Bashkëjetesës Paqësore, ka çuar përpara sistematikisht bashkëpunimin për masat e krijimit të besimit, ka praktikuar vazhdimisht multilateralizmin dhe ka punuar pa u lodhur për të forcuar themelet e besimit te paqja dhe siguria në Azi.
Wang paraqiti katër propozime:
Së pari, ruajtja e përbashkët e paqes dhe e qëndrueshmërisë. Azia nuk ka nevojë për një mendësi të Luftës së Ftohtë dhe nuk e mirëpret përballjen mes blloqeve. Problemet e Azisë duhet të zgjidhen në fund të fundit nga vetë popujt e Azisë nëpërmjet solidaritetit e bashkëpunimit, ndërsa siguria e saj duhet të garantohet duke mbështetur vizionin e një sigurie të përbashkët, përfshirëse, bashkëpunuese dhe të qëndrueshme.
Së dyti, promovimi i përbashkët i begatisë dhe rigjallërimit. Zhvillimi është çelësi kryesor për zgjidhjen e të gjitha problemeve. Duhen bërë përpjekje për të harmonizuar më mirë bashkëpunimin cilësor në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë” me nismat e zhvillimit të vendeve të ndryshme, për të ruajtur një mjedis të hapur bashkëpunimi, për të përparuar liberalizimin dhe lehtësimin e tregtisë e të investimeve, për të garantuar funksionimin e qëndrueshëm dhe efikas të korridoreve ndërkombëtare të transportit, si edhe për të forcuar sigurinë e furnizimit me lëndë të para kritike, burime energjetike e ushqim, në mënyrë që vendet aziatike të kenë mundësinë të bashkëpunojnë për të përshpejtuar përparimin e tyre drejt modernizimit.
Së treti, promovimi i përbashkët i shkëmbimeve dhe mësimit të ndërsjellë midis qytetërimeve. Azia është kontinenti me larminë më të madhe të qytetërimeve. Duhen bërë përpjekje për të promovuar me vendosmëri vlerat aziatike të paqes, bashkëpunimit, hapjes e përfshirjes, për të respektuar zgjedhjet e pavarura të vendeve të ndryshme lidhur me rrugët e zhvillimit dhe modelet e tyre të qeverisjes, për të thelluar shkëmbimet dhe bashkëpunimin në kulturë, turizëm e shëndetësi, si edhe midis grupeve të grave e të të rinjve, organizatave mediatike dhe instituteve të studimit të politikave, dhe për të promovuar shkëmbimet midis njerëzve dhe lidhjet më të ngushta midis popujve, në mënyrë që qytetërimet e ndryshme të mësojnë nga njëri-tjetri dhe të lulëzojnë së bashku.
Së katërti, përmirësimi i përbashkët i qeverisjes globale. Duhet të bëhen përpjekje për të rigjallëruar autoritetin dhe rolin e Kombeve të Bashkuara, për të mbrojtur normat themelore që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare të përcaktuara në Kartën e OKB-së, për të forcuar kapacitetet në qeverisjen digjitale, parandalimin dhe zbutjen e pasojave të katastrofave dhe shëndetin publik, si edhe për të ndërtuar së bashku një sistem qeverisjeje më efikas, përfshirës dhe të qëndrueshëm në Azi.
Kryediplomati kinez theksoi më tej në vijim të fjalës së vet në Samitin e 7-të të CICA-s që Kina do të mbetet e përkushtuar fuqimisht ndaj rrugës së zhvillimit paqësor, do të sjellë më shumë qëndrueshmëri në skenën ndërkombëtare nëpërmjet zhvillimit të saj cilësor dhe do të japë një shtysë më të fuqishme për rritjen globale.
Samiti miratoi dhe publikoi Deklaratën e Bakut të Samitit të 7-të të CICA-s./cgtn





















































