Tomisllav Funiç-*
Për një kohë të gjatë Kina ka qënë eksportuese e naftës dhe gazit, është varur shumë nga ky import, por lufta në Iran e përmbysi situatën. Bëri hapa të mëdha përpara nëpërmjet grumbullimit të sasive të mëdha rezervë nafte dhe investime në qymyrguri dhe në alternativa të tjera. Kësisoj erdhi në pozitën që t’ua ndërpresë furnizimin vendeve fqinjë, të qëndrojë krah për krah me ShBA-të dhe Arabinë Saudite si prodhuesit më të mëdhenj të naftës të cilët kanë në dorë shumicën e kartave të forta. Tani këto karta i ka edhe Kina.
Ajo tashmë dominon në prodhimin e paneleve solarë, baterive dhe makinave elektrike, dhe duket se ka një pozitë të pakrahasueshme edhe në tregun energjetik. Për këtë kërcënimi se mos ndonjë fuqi e huaj mund t’i kufizojë vendit akses në naftë ndoshta nuk mund t’i stepë krerët në Pekin nga hapat agresivë si puna e invazionit ose e bllokadës së Taivanit, mendojnë zyrtarët amerikanë. “Nëse e ndjejnë se këtë fusha janë më pak të brishtë se kanë qënë më parë, kjo ka për të qënë një ndryshim i thellë dhe me rëndësi i cili do të pasqyrohet në atë që Kina të marrë vendime mbi strategjinë e saj globale”, pohon Julian Gewirtz, ish zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i cili ka punuar mbi çështjet kineze në administratën e Bidenit.
Kompanitë shtetërore kineze që nga vitit 2018 kanë investuar 343 miliardë dollarë në prodhimin vendas dhe në magazinimin e naftës. Prodhimi vendor është rritur nga afro 3,8 në 4,3 milionë barela në ditë. Gazeta The Guardian e përshkruan Kinën si vendi i cili është përgatitur me vite të tëra që më përpara për krizën globale energjetike duke kombinuar rezervat strategjike të naftës dhe gazit, prodhimin vendas, qymyrgurin, energjinë bërthamore, hidroenergjinë dhe kapacitetet e mëdha të erës dhe Diellit.
Mjet politik
Gjatë krizës energjetike Kina zvogloi vartësinë nga nafta dhe nisi të shfytëzojë rezervat, gjë me të cilën zbuti presionin ndaj tregut botëror. Importi kinez i naftës bruto ra nga më shumë se 12 milionë barela në ditë, aq sa ishte para krizës, në afro 7,1 milionë barela në ditë në muajin qershor dhe më pas në gusht të këtij viti u rrit në 8,9 milionë barela në ditë. Kaq përsa u përket numurave. Krahas kësaj, qymyrguri është ventili kinez i sigurisë, sepse ka prodhim vendor të stërmadh. As me gazin nuk është keq. Gjithsesi, në ndryshim nga shumë vende europiane, por jo vetëm europiane, Kina në kohë krizash jo vetëm mund të plotësojë nevojat e tregut por edhe fuqimisht, si fuqi e re energjetike, mund të ndikojë në flukset energjetike në botë.
Kur para disa vitesh një politikan jo edhe aq i rëndësishëm paralajmëronte se energjia në të ardhmen do të bëhet mjeti kryesor politik, pakkush e besoi. Kishte mjaft naftë, gaz, qymyrguri, mekanizmat për marrëveshjen mbi çmimet dhe furnizimin pak a shumë funksiononin. Pati disa kriza serioze, por asnjëra prej tyre nuk arriti të matej me këtë të tanishmen. Aftësia e kinezëve për të kufizuar importin e naftës i befasoi pothuajse të gjithë në industrinë e naftës. Dhe falë këtij, çmimet e naftës bruto nuk u rriten as afërsisht aq sa mendonin shumica e drejtueseve të energjetikës pasi Irani kufizoi seriozisht kalimin e anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit. Në fund të muajit gusht, nafta bruto kushtonte afro 10 dollarë për barela më pak sesa do të kushtonte sikur Kina të vazhdonte të blinte naftë në sasitë e paraluftës. “Kjo është fuqi të cilën askush nuk e përfytyronte se Kina e ka”, thotë Erica Downs, eskperte e lartë në Qendrën për politikës energjetike globale në Universitetin e Kolumbias. “Në të ardhmen do të jetë vërtetë interesante të shihet sesi Kina do të sillet me këtë fuqi të sapofituar”.
Tashmë shihet se Kina i përdor energjentët si mjet politik, sepse në momentet e krizës së madhe lejoi ekportin e naftës vetëm për vendet mike, me përjashtim të Vietnamit, Australisë dhe Filipineve, me të cilët është në konflikt për shkak të pretendimeve në Detin e Kinës Jugore.
Rezervat strategjike
“Në fillim të muajit korrik, Kina vazhdoi të zgjerojë eksportin e karburantit raketor, benzinës dhe naftës dizel. Por duket se dërgesat e fundit të naftës iraniane, ishin dërguar para se Shtetet e Bashkuara të vendosnin bllokadën, dhe kishin arritur tashmë në rafineritë e vogla në Kinë të cilat bëjnë biznes ndarazi nga divat shtetërorë”, thotë Tom Reed, ekspert shumëvjeçar për naftën kineze në Argus Media, kompani e cila përcakton çmimet e mallrave në Londër.
Ndërkohë Kina mbetet importuesi më i madh botëror i naftës, por kur është fjala për rezervat, atëherë mund të thuhet se ajo është shumë më e përgatitur për krizat e tanishme dhe të ardhshme. Në sajë të kombinimit të rezervave strategjike, prodhimit vendas dhe drejtimeve të ndryshme të furnizimit, Kina nuk pati mungesa të ndjeshme për karburantet. Me sa duket kinezët, problemet e naftës dhe të gazit, dinë t’i zgjidhin shumë më përpara se ato të bëhen evidente. Thënë shkurt, si shahistë të shkathët mund të parashikojnë se cilat lëvizje do të bëhen në të ardhmen dhe të përgatien mirë për to. Kanë punuar shumë me rezervat dhe tani doli se ato janë vendimtare.
Amerikanët vlerësojnë se Kina në tremujorin e dytë të vitit 2026 kishin 1,49 miliardë barela naftë në rezervat strategjike, dhe komerciale. Kjo është shumë më tepër sesa rezervat amerikane prej 321 milionë barela. Kjo do të thotë se kanë më sëpaku tre muaj import në rezerva të sigurta. Kjo është një prej arësyeve përse Kina nuk përjetoi mungesa karburanit edhe përkundër lëkundjeve të mëdha të qarkullimit nëpër Ngushticën e Hormuzit. Carnegie Endowment mendon se siguria e vërtetë energjetike kineze është pikërisht qymyrguri dhe elektrifikimi, dhe jo rezervat e naftës. Kina pothuajse të gjithë kërkesën e saj të stërmadhe për qymyrguri mund t’a plotësojë me prodhimin vendas. Këtu vinë pastaj edhe panelet solare, hidrocentralet me erë, e gjithnjë e më shpesh bëhet fjalë edhe për njëfarë fenomeni në llojin e tij i cili reduktohet me termin “electrostate”, fuqia gjeopolitike e të cilit bazohet gjithnjë e më shumë në kontrollin e teknologjisë, zinxhirët e prodhimit, bateritë, energjinë diellore dhe elektrifikimin, dhe gjithnjë e më pak në vetë kontrollin e naftës.
Zgjerimi i bashkëpunimit
Kështu edhe ndryshon gjeopolitika kineze. Kina vazhdon të ketë nevojë për sasi të stërmëdha nafte nga Lindja e Afërt. Megjithatë, Pekini vitet e fundit është përpjekur të zvoglojë brishtësinë e tij të shkaktuar nga flota detare amerikane dhe Hormuzi nëpërmjet disa strategjive alternative: bashkëpunimi me Rusinë, Iranin, Irakun, Brazilin dhe shtetet afrikane. Ekspertët mendojnë se Kina paguan me vetëdije më shumë për prodhimin vendas sepse siguria strategjike është bërë tashmë çështje sigurie dhe e përfitimit tregtar.
Kësisoj që më përpara planifikoi dhe siguroi atë se Amerika nuk mund t’i mbyllë drejtimet e furnizimit me energjentë, pa marrë parasysh se çfarë do të ndodhë atje dhe se prej ku shkon nafta në pjesën tjetër të botës. Për këtë Pekini bën biznes për naftën dhe gazin me Moskën, me vendet e Lindjes së Afërt zgjeron bashkëpunimin për naftën, gymyrguri vendas i shërben asaj për prodhimin e energjisë elektrike, panelet solarë dhe H/C me erë nxitin prodhimin e ri, ndërsa bateritë ulin nevojën për atë.
Gjithçka është përpunuar me seriozitet, por Pekini ka një problem, madje jo edhe aq të vogël. Kina akoma nuk mund të bëjë pa naftën e importit. Sipas analizave, kur nisi turbullira, importi kinez i naftës bruto ra ndërkohë që rreth 60 përqind u zëvendësuan nga rezervat, ndërsa pjesa tjetër thjesht u zëvendësua me kufizimin e përpunimit dhe shpenzimit. Për këtë Kina ishte në gjendje t’i bënte ballë shok-ut fillestar, por këtë nuk mund t’a bëjë pafundësisht. Meqënëse gjithçka ndryshon në mënyrë të rrufeshme, soje ndryshojnë edhe raportet kur vjen fjala për enegjentët. Ekspertët tani flasin gjithnjë e më shumë se fuqia gjeopolitike po zhvendoset nga nafta drejt teknologjisë. Përshëmbull, Chatam House nënvizon se Kina në vitin 2024 prodhoi më shumë se 90 përqind të polisilicit botëror, waferëve prej silici dhe celulave diellore, ose 86 përqind më shumë module solare. Kina gjithashtu dominon në pjesë të mëdha të zinxhirit të prodhimit të baterive. Dhe në këtë qëndron përsëri në majë.
Shpëtimi te qymyrguri
“Kompanitë kineze të naftës nuk sillen si kompani që kërkojnë fitimin. Shteti i përdor ato si instrument i sigurisë energjetike”, mendon Philip Andrews-Speed nga Instituti i Oksfordit, ndërsa të gjithë ekspertët theksojnë se sa e rëndësishme është rezerva e qymyrgurit. Kina shpenzon me shumë se gjysmën e qymyrgurit në botë. Pothuajse të gjithë nevojat mund t’i plotësojë nga prodhimi vendas, e soje, në rast turbullirash në naftë dhe gaz, mund të rrisë përdorimin e qymyrgurit dhe energjisë elektrike nga burimet vendase. Pekini akoma e konsideron qymyrgurin mbështet tejet të sigurtë. “Por këtu ka një paradoks interesant: Kina njëkohësisht synon të zvoglojë vartësinë afatgjatë nga qymyrguri. Për këtë qymyrguri në strategjinë e saj konsiderohet më shumë si mbështetës sigurie, dhe jo detyrimisht si karburant për të cilin do t’a rrisë vazhdimisht shpenzimin”, thotë Li Shuo nga Asia Society Policy Institute.
Fuqia e ardhshme energjetike nuk do të jetë detyrimisht shteti i cili ka më shmë naftë dhe gas, por ai i cili kontrollon panelet solare, bateritë, rrjetet, makinat elktrike, mineralet kritike dhe teknologjinë. Pikërisht këto synon Kina. Nëse bota kalon nga modeli “petrostate” në modelin “electrostate”. Kina që tani kontrollon një pjesë të madhe të bazës industriale të nevojshme për këtë kalim. Njëkohësisht ka qymyrgurin vendas si rezervë sigurie si edhe rezerva të mëdha nafte.
Nafta, gazi dhe qymyrguri dhjetëvjeçarët e fundit janë bërë shumë më tepër se enëregjentë. Ato janë instrument i fuqisë ekonomike, sigurisë, tregtisë dhe politikës ndërkombëtare. Shteti i cili konrollon prodhimin, transportin ose ka rezerva të mëdha energjie mund të ndikojë te çmimet, industrinë, aleancat dhe sjelljen e shteteve të tjera. Në këtë kuptim raporti i Kinës dhe Shteteve të Bashkuara gjithnjë e më shumë mund të konsiderohet si garë për kontrollin mbi zinxhirët energjetikë. Në këtë rast Rusia është veçanërisht me rëndësi.
Konflikti i mundshëm
Pas konfliktit rus me Perëndimin dhe humbjen e një pjese të madhe të tregut europian Moska i orientoi akoma më fort energjentët drejt Azisë. Gazsjellësi “Furia e Siberisë-1” u bë lidhja kyçe mes Rusisë dhe Kinës. Gazi rus në këtë drejtim arriti kapacitetin e projektuar prej 3,7 miliardë metër kub në ditë mbas përfundimit të pjesës kineze të projektit në vitin 2024. Për Moskën Kina është treg i madh. Por njëkohësisht ndryshuan shumë gjëra edhe në Amerikë. Revolucioni amerikan për prodhimin e naftës nga argjilet i shndrroi ShBA-të një një prej prodhuesve kryesorë të naftës dhe gazit. Nënvizohet se mes viteve 2015 dhe 2024, ShBA-të përbënin afro 90 përqind të rritjes së prodhimit të naftës në shkallë botërore, ndërsa në këtë kohë kërkesa kineze ishte afro 60 përqind e rritjes së konsumit botëror.
Para njëzet vitesh Uashingtoni ishte tejet më i ndjeshëm ndaj naftës së Lindjes së Mesme. Sot ShBA-të kanë shumë më tepër prodhim vendas. Në raport me Kinën, kjo dukej kështu: Amerika është prodhues dhe eksportues i madh i energjisë, ndërsa Kina konsumator dhe importues i madh i energjisë. Domethënë përparësia është te Uashingtoni. A është vërtetë kështu? Vështirë të pohohet, gjë të cilën po e tregon edhe situata momentale. Dy shtete, të mëdhenj dhe të fuqishëm, Kina dhe Amerika, janë të konfrontuara, madje flitet edhe për një konflikt të mundshëm në të ardhmen, por tani për tani ato bashkëpunojnë ngushtë dhe në fushën energjetike nuk mund të bëjnë pa njëra tjetrën.
Amerika i shet Kinës energji, Kina i shet Amerikës prodhime industriale dhe komponentë. Ja ku lidhen përsëri energjia dhe gjeopolitika. Kina është e vetëdijshme se vartësia e saj nga importi i naftës është për të problem atagjatë strategjik. Nëse miliona automobilë kalojnë nga benzina dhe dizeli në energjinë elektrike, Kina zvoglon nevojën për import nafte. Pikërisht rritja e fuqishme e makinave elektrike është një prej arësyeve për të cilën pritet që kërkesa për naftë të arrijë kulmin këtë dhjetëvjeçar.
Të vetëdijshëm për situatën
Për këtë prodhimi kinez i automobilëve elektrikë nuk është vetëm politike industriale. Pas tij qëndron siguria energjetike. Në vend që të importojë miliona barela naftë në ditë, Kina mund të përdorë energjinë elektrike të prodhuar në vend. As me çmimete naftës, të cilët tani janë tërbuar fare, nuk është gjithçka e thjeshtë. Nafta ka një karakteristikë, çmimi i saj është global. Nëse Kina blen më pak naftë, çmimi mund të bjerë. Nëse nis të blejë në mënyrë masive, çmimi rritet.
Kjo do të thotë se Kina, si importuesi më i madh në botë mund të ndikojë te tregu global madje edhe nëse ajo nuk prodhon naftë. Dhe tani puna bëhet akoma më e ndërlikuar. Këtu ndodh diçka shumë e rëndësishme. Kur Kina blen naftë ndërsa çmimi është i ulët, ajo nuk rrit vetëm sigurinë e furnizimit, ajo njëkohësisht mund të rritë edhe furqinë e saj negociuese. Rezervat kineze këtë vit kanë ndryshuar pamjen e ndërlikuar energjetike të botës. Por kjo nuk mund të vazhdojë në pafundisi. Kina mund të ketë rezerva të mëdha nafte, por nëse nafta është diku tjetër, atëherë ajo duhet patjetër të vijë në Kinë. U pa kjo edhe atëherë kur tankerët kinezë mbetën të robëruar në Gjirin Persik. Kjo tregon se strategjia energjetike kineze ka kufinjtë e saj. Pekini mund të blejë nafte nga Arabia Saudite, Irani, Iraku apo Katari, por nuk mundet thjesht të jepë urdhër që tankerat e saj të kalojnë të sigurtë nëpër zonën e luftës. Kur studiohet diplomacia kineze këto vitet e fundit, bëhet e qartë përse Pekini ka ndërmjetësuar në konfliktet e Lindjes së Afërt. Sidomos kur bëhej fjalë për Iranin dhe Arabinë Saudite, sepse përpiqet të ruajë raporte të mira si me njërin venbd ashtu edhe me tjetrin. Pikërisht këtyre ditëve Reuters-i njoftonte se Pekini i ka bërë presion Iranit për të ndihmuar në ndalimin e sulmit të hutistëve ndaj infrasruktrës energjetike arabe, mbasi Riadi kërkoi më parë ndërhyrjen kineze.
Brishtësi energjetike
Ky është shembull interesant sesi nevojat energjetike e shndërrojnë Kinën në aktor diplomatik. Amerika ka qëndrim tjetër sepse është më pak e varur nga energjentët se më parë. Por ShBA-të gjithsesi duan stabilitet në tregun energjetik sepse nafta është mall global. Nëse çmimi i naftës rritet nga 70 në 120 dollarë, kjo godet jo vetëm Kinën dhe Europën, por edhe konsumatorët amerikanë. Për këtë Uashingtoni ka interes të ruajë lirinë e lundrimit nëpërmejt drejtimeve kyçe detare.
Këtu përsëri ndeshen fuqia ushtarake amerikane dhe siguria energjetike kineze. Nafta vazhdon të jetë vendimtare për qarkullimin dhe ushtrinë. Gazi është vendimtar për ngrohjen, industrinë dhe elektroenergjetikën. Qymyrguri mbetet themel për një pjesë të madhe të prodhimit të energjisë kineze dhe atë indiane. Por gjithnjë e më të rëndësishëm po bëhen litiumi, bakri, metalet e tokave të rralla, teknologjia bërthamore, terminalet e LNG-së, rafineritë. Në këtë kuptim Kina përpiqet të kalojë nga pozitat e blerësit të madh të energjisë në pozitën e shtetit i cili kontrollon pjesën më të madhe të infrastrukturës e cila mundëson shfrytëzimin e energjisë. Nga ana tjetër, ShBA-të, përpiqen të ruajnë përparësinë në prodhimin e energjisë, teknologjisë, financave dhe sigurisë detare. Për këtë konkurimi energjetik mes ShBA-ve dhe Kinës është pikërisht pjesë e një çështjeje më të gjërë: a do të jetë i organizuar sistemi i ardhshëm global reth kontrollit amerikan të rrjeteve detare, financire dhe energjetike apo Kina do të arrijë të ndërtojë një rrjet mjaftueshëm autonom tokësor dhe industrial energjetik në mënyrë që të ulë vartësinë?
Dhe përgjigja ndoshta do të varet më pak nëse Kina dëshiron që një ditë të shpenzojë më pak qymyrguri apo naftë dhe më shumë nga ajo se sa shpejt do t’a zvoglojë nevojën e saj që energjinë t’a marrë nëpërmjet drejtimeve detare të cilët në kohë krizash nuk mund të kontrollohen plotësisht. Bisedimet aktuale mes Uashingtonit dhe Pekinit mbi LNG-në amerikane janë veçanërisht interesante pikërisht për faktin se flasin për atë që konkurenca dhe vartësia reciproke do të mund të zhvillohen paralelisht: Kina përpiqet të zvoglojë brishtësinë e saj energjetike, por njëkohësisht lidh marrëveshje afatgjata me prodhuesit amerikanë të gazit. Energjia nuk është më mall që tregtohet, ajo është një prej instrumenteve kryesore me të cilën fuqitë e mëdha ndërtojnë rezistencën ekonomike, aleancat dhe ndikimin gjeopolitik.
Pekini e zbuloi në kohë problemin e energjentëve
Ndërsa Amerika ishte në përparësi të madhe në lidhje me Kinën kur flitej për energjentë, politika e Pekinit ishte të gjendej “formula” me të cilën do të zvoglohej hendeku, sidomos kur ishte fjala për naftën, të cilën Kina e importonte në sasi të mëdha. Dhe kjo më së shpejti nëpërmjet drejtimeve të cilët janë sot nga më të kërcënuarit. Por këto drejtime nuk janë interesnatë vetëm për transportin e naftës, këto nuk janë vetëm rrugë tregtare. Në Pekin prej vitesh flitet për të ashtuquajturën dilemë e Malakës – për faktin se Kina një pjesë të madhe të energjisë është e detyruar t’a kalojë nëpërmjet një ngushtice të vetme (Ngushtica e Malajzisë). Qysh në vitin 2003, presidenti kinez Hu Jintao paralajmëronte për mundësinë që fuqitë e huaja do të përpiqen të kontrollojnë kalimin më të rëndësishëm. Piëkrisht kjo frikë u bë një prej elementëve të ideve kineze për sigurinë energjetike.
Dhe tani doli në dritë ky arti prej shahisti i udhëheqjes kineze. U detektua në kohë rreziku dhe sfidat dhe u përgatitën, po në kohën e duhur, lëvizjet që duheshin bërë për të mos përjetuar shah matin. Kinezët arritën të rrisin prodhimin e naftës dhe gazit, krijuan me rusët kushte të përshtatshme për blerjen e naftës së tyre, zhvilluan gazsjellësit nga Rusia dhe Azia e Mesme, ndërtuan gazsjellës nëpërmjet Mjanmarit, investuan në energjinë bërthamore, dhe ndërtuan masivisht hidrocentrae me fuqinë e erës. Kryesisht arritën që ekonomia kineze të mos groposej me ndërprerjen e rrugëve detare energjetike.
Nëse Pekini sulmon Taivanion mbetet pa energjentë
Shumë ekspertë që merren me çështjet e sigurisë i shohim të gjitha dilemat rreth naftës, gazit, qymyrgurit edhe në dritën e pushtimit kinez të Taivanit. Ky nuk do të ishte vetëm konflikt ushtarak por edhe çështje sesi kinezët do të munden më pas të importojnë naftën e cila është e domosdoshme. Nëse qarkullimi detar pengohet shumë, ekonomia kineze mund të goditet shumë më parë sesa asaj do t’i mungonte qymyrguri. Për këtë rezervat kineze, qymyrguri vendas, gazi rus, makinat elektrike, hidrocentralet bërthamore, panelet diellore dhe transporti hekurudhor nuk janë vetëm politika të palidhura mes tyre. Ato janë pjesë e strategjisë kineze: të zvoglohet brishtësia e Kinës ndaj bllokadave detare dhe presioni i jashtëm energjetik.
Atëherë kush ka fuqi më të madhe energjetike? Përgjigja nuk është e thjeshtë. ShBA-të kanë përparësi të stërmadhe në prodhimin e naftës dhe gazit, LNG-së, sistemin financiar, janë fuqi detare dhe kanë aleanca. Kina ka përparësi të stërmadhe në konsumin industrial të energjisë, qymyrguri, kapacitete rafinimi, prodhim të pajisjeve solare, bateri dhe makina elektrike, si dhe rezerva strategjike gjithnjë e më të mëdha. Pikërisht për këtë raporti mes ShBA-ve dhe Kinës nuk mund të reduktohet në pyetjen “cili ka më shumë naftë”. Ndërsa në shekullin e kaluar kishte rëndësi se kush e kontrollonte naftën, tani është më shumë e rëndësishme kush e kontrrollon tërë zinxhirin energjetik.
________________________________
1 https://www.geopolitika.news/analize/dok-je-cijeli-svijet-stajao-na-
mjestu-peking-je-u-tajnosti-izveo-svoj-plan/
Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
© 2026 Argumentum





















































