Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit Edi Rama për ndikimin e mundshëm të Rusisë dhe Iranit në protestat e dhunshme në Tiranë, duke i kërkuar atij të mos ua atribuojë aktorëve të jashtëm përgjegjësinë për problemet e brendshme të Shqipërisë.
Në një postim në Telegram, të shpërndarë edhe nga Ambasada Ruse në Tiranë, Zakharova kundërshtoi pretendimet e raportuara për përfshirjen e Moskës dhe Teheranit në trazirat në Shqipëri.
“Janë qytetarët e vendit tuaj që kanë dalë në rrugë në protestë dhe ju nuk duhet t’ua hidhni fajin të tjerëve. Zgjidhini vetë problemet tuaja të brendshme”, shkroi ajo.

Reagimi i diplomacisë ruse vjen pasi Rama foli për ndikimin e mundshëm të aktorëve të huaj në protestat kundër qeverisë, duke përmendur Rusinë dhe Iranin, krahas grupeve dhe aktorëve të ndryshëm politikë që, sipas tij, kontribuojnë në nxitjen e dhunës.
Kryeministri e lidhi gjithashtu situatën me përpjekjet për integrimin europian të Shqipërisë, duke argumentuar se ka aktorë që nuk duan që vendi të anëtarësohet në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.
Përplasja e deklaratave e zhvendos debatin mbi protestat edhe në planin diplomatik, ndërsa Tirana dhe Moska paraqesin qëndrime të kundërta mbi rolin e mundshëm të ndikimit të jashtëm dhe përgjegjësinë për zhvillimet e brendshme në Shqipëri.

Një ditë më parë, Aleksandër Dugin, ideolog rus i njohur për afërsinë e tij me presidentin Vladimir Putin, kishte shprehur publikisht mbështetje për protestat në Shqipëri. Deklarata e tij parapriu reagimin e sotëm të diplomacisë ruse dhe u bë pjesë e debatit mbi jehonën ndërkombëtare të zhvillimeve në Tiranë.
© 2026 Argumentum





















































