Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kërkesës së organizatave të shoqërisë civile për krijimin e hapësirave të dialogut në kushtet e protestave në vend, duke shprehur gatishmërinë e qeverisë për bisedime në çdo kohë dhe pa kushte.
Në reagimin e tij, Rama u kërkon organizatave të distancohen nga aktet e dhunës, hedhja e gurëve, zjarrvënia ndaj institucioneve dhe përfshirja e të miturve në akte të dhunshme. Ai thekson rëndësinë e garantimit të së drejtës për protestë paqësore dhe të mbrojtjes së jetës e dinjitetit të qytetarëve.
“Jepeni ju të parët shembullin e dialogut dhe për sa i takon qeverisë ne do të jemi aty”, shkruan Rama, duke e mbyllur reagimin me thirrjen: “Bujrum, DIALOG. Ku të doni. Kur të doni. Pa kushte”.
Reagimi i plotë i Kryeministrit Rama:
“Jepeni ju të parët shembullin e dialogut dhe për sa i takon qeverisë ne do të jemi aty.
E ndërkohë distancohuni qartë nga dhuna, gurët, zjarrvënia e institucioneve, keqpërdorimi i të miturve, që të ndihmoni kësisoj edhe protestuesit paqësorë të ushtrojnë të drejtën e tyre, e cila nuk rrezikohet nga policia po nga dhunuesit që i prijnë maskaradës pseudo-studentore
Dhe po, të respektojmë të gjithë bashkë të drejtën e protestës paqësore.
Ta mbrojmë të gjithë bashkë jetën dhe dinjitetin e çdo personi.
Asnje jetë nuk duhet vënë në rrezik dhe asnjë lojë nuk duhet bërë me jetën e vendit
Bujrum, DIALOG. Ku të doni. Kur të doni. Pa kushte”.

© 2026 Argumentum





















































