Këshilli Shqiptar i Medias (KSHM) shpreh shqetësim të thellë për raportimet mbi dhunën fizike dhe pengimin e gazetarëve, fotoreporterëve dhe operatorëve gjatë protestave në Tiranë, të cilat kanë hyrë në ditën e gjashtë.
KSHM i bashkohet deklaratës së Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) të 18 tetorit 2026 dhe e përkrah plotësisht kërkesën e saj për identifikimin e menjëhershëm të përgjegjësve dhe për hetim të plotë, të pavarur dhe transparent.
Sipas dokumentimit të AGSH-së dhe raportimeve të vetë redaksive, vetëm gjatë ditës së 18 tetorit janë identifikuar gjashtë incidente ndaj punonjësve të medias, ku pjesa më e madhe lidhen me veprimet e raportuara të Policisë së Shtetit, ndërsa vetëm një lidhet me goditjen nga një send i hedhur nga protestuesit.
Rastet e raportuara
- ndalimi me dhunë i fotoreporterit Hameraldi Agolli dhe pengimi i gazetarit të News24, Osman Stafa, gjatë ushtrimit të detyrës;
- goditja fizike e gazetarit, njëkohësisht dhe Autorit të “Piranjat” Taulant Koplikaj, dhe e gazetarit të News24, Renaldo Salianji, të cilit, sipas pamjeve filmike, një efektiv policie i është përgjigjur me fjalët “Më plasi mua që je gazetar”;
- goditja e gazetares së Klan News, Glidona Daci, me gurë;
- plagosja në këmbë e gazetarit të SYRI TV, Elkier Bushkolaj, nga një plumb gome, gjatë raportimit nga zona e ministrive;
- dhuna ndaj gazetares së SYRI TV, Marshi Korreshi, e goditur me skafandër dhe e shtyrë me forcë teksa raportonte drejtpërdrejt për zjarrin në Komisariatin nr. 3;
- goditja dhe shtyrja me skafandra e gazetarit Juljan Hoxha dhe e fotoreporterit Felix Bilani nga format “Shqiponja”, në zonën e Kryeministrisë.
KSHM nuk gjykon në vend të organeve kompetente, por ndalon te modeli: incidente të përsëritura, në ditë të ndryshme dhe ndaj redaksive të ndryshme, brenda një kohe shumë të shkurtër. Gazetarët janë në terren për të dokumentuar ngjarjet, jo për të qenë pjesë e tyre. Ata nuk mund të trajtohen si pjesëmarrës në protestë dhe nuk duhet të bëhen shënjestër e forcës, qoftë nga policia, qoftë nga protestuesit.
Gjithashtu, KSHM shpreh shqetësimin për sekuestrimin në mënyrë të jashtëligjshme të celularëve të qytetarëve dhe fshirjen e materialeve video të xhiruara. Përveçse shkelje e lirive të individit, KSHM vlerëson dhe mbështet gazetarinë qytetare, e cila, sidomos në situatën e këtyre ditëve, ndihmon për të verifikuar dhe raportuar ngjarje ku reporterët dhe kamerat profesionale nuk mund të jenë prezentë.
KSHM kërkon
- Nga Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme, identifikimin e menjëhershëm të efektivëve të përfshirë dhe një shpjegim publik për rastet e raportuara, përfshirë përdorimin e plumbave të gomës ndaj një gazetari.
- Nga Prokuroria dhe organet e tjera kompetente, hetim të plotë, të pavarur dhe transparent të çdo incidenti, me pasoja ligjore për përgjegjësit.
- Nga komanda e policisë, udhëzime të qarta që gazetarët të punojnë lirisht e pa pengesa në vendet e protestave, si dhe respektimin e standardeve të përdorimit proporcional të forcës.
- Nga organizatorët dhe pjesëmarrësit në protesta, përmbajtje nga çdo akt dhune ndaj punonjësve të medias.
- Nga redaksitë, vijimin e dokumentimit të rasteve dhe të pasojave mjekësore e ligjore, në bashkëpunim me AGSH-në dhe KSHM-në.
Thirrje për BE-në, Këshillin e Evropës dhe OSBE-në
Shqipëria është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe anëtare e Këshillit të Evropës dhe e OSBE-së. Liria e shprehjes dhe siguria e gazetarëve janë kushte themelore të këtyre angazhimeve, përfshirë nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në këtë kontekst, KSHM u bën thirrje:
- Bashkimit Evropian dhe Delegacionit të tij në Tiranë, të ndjekin nga afër situatën e sigurisë së gazetarëve, ta ngrenë çështjen publikisht dhe në dialogun me autoritetet shqiptare, dhe ta trajtojnë mbrojtjen e gazetarëve si kriter të matshëm në procesin e negociatave, sidomos në kapitullin e shtetit të së drejtës dhe të të drejtave themelore.
- Këshillit të Evropës, përfshirë Platformën për Mbrojtjen e Gazetarisë dhe Sigurinë e Gazetarëve, të regjistrojë këto raste dhe t’i kërkojë qeverisë shqiptare përgjigje formale, në përputhje me standardet e Komitetit të Ministrave për mbrojtjen e gazetarisë dhe sigurinë e gazetarëve.
- OSBE-së, përfshirë Përfaqësuesin për Lirinë e Medias dhe Praninë e OSBE-së në Shqipëri, të monitorojë situatën dhe të ofrojë asistencë për përmirësimin e praktikave të policisë ndaj medias gjatë protestave.
KSHM u bën thirrje edhe organizatave ndërkombëtare të mbrojtjes së lirisë së medias dhe rrjeteve të partnerëve të tij, ku bën pjesë AIPCE, të shprehin solidaritet publik me gazetarët shqiptarë.
KSHM shpreh solidaritetin e plotë me të gjithë punonjësit e medias të prekur dhe mbetet në dispozicion të redaksive për mbështetje e dokumentim. Do të vijojë të ndjekë rastet pranë institucioneve përgjegjëse dhe të informojë partnerët ndërkombëtarë për zhvillimet.
Këshilli Shqiptar i Medias (KSHM)
Tiranë, 19 tetor 2026
© 2026 Argumentum





















































