Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur në takim komandantin e ri të KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajorin Roberto Vergori, të cilin e ka uruar për marrjen e detyrës së re.
Përmes një njoftimi, Maqedonci bëri me dije se gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe për rëndësinë e komunikimit dhe koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it.
Ai theksoi gjithashtu nevojën për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit me misionin e NATO-s në Kosovë, duke vlerësuar rëndësinë e partneritetit në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend.
Maqedonci ritheksoi se anëtarësimi i Republikës së Kosovës në NATO mbetet prioritet strategjik dhe objektiv kyç për të ardhmen e vendit.
“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit të ngushtë me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë në funksion të ruajtjes së paqes, sigurisë dhe stabilitetit”, thuhet në njoftimin e Maqedoncit në Facebook.
© 2026 Argumentum





















































