Komisioneri i Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, që është njësi e Avokatit të Popullit, Ahmet Prençi informoi sot mbi gjetjet nga monitorimi i 24 orëve të fundit në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut gjatë protestës dhe me trajtimin e personave të shoqëruar dhe të lënduar.
Sipas tij, gjetjet e sotme janë paraprake, hetimi i thelluar vazhdon dhe do të njoftohet brenda afateve ligjore.
Prençi tha se gjatë ditës së 19 tetorit deri në mbrëmje vonë, ekipe të Avokatit të Popullit kanë inspektuar Komisariatet e Policisë nr. 1, 2, 3, 4, 5 dhe 6 në Tiranë, Bllokun e Sigurisë dhe Spitalin e Traumës.
“Në komisariatet nr. 5 dhe 6 nuk u raportuan persona të shoqëruar, dhe për këtë arsye nuk janë pjesë e këtij raportimi. Ditën e djeshme, policia ka shoqëruar 50 persona: 32 të rritur dhe 18 të mitur. Komisariati nr. 1: 21 persona, ndër ta 8 të mitur. Komisariati nr. 2: 19 persona, ndër ta 7 të mitur, 2 gra. Komisariati nr. 4: 10 persona, ndër ta 3 të mitur. Blloku i Sigurisë: ndodheshin 109 persona të arrestuar, 1 i mitur, 4 gra.
Spitali i Traumës: 34 persona kanë marrë trajtim mjekësor nga këta 21 punonjës policie,7 protestues dhe 5 kalimtare”, theksoi Premçi.
Gjatë ditës së djeshme, sipas tij, është marrë kontakt me 193 persona të ndaluar, të arrestuar dhe në spital, prej të cilëve 6 gra, 19 të mitur.
“Gjithsej kemi administruar 11 ankesa, nga të cilat 10 në Bllokun e Sigurisë, njëra për një të mitur ne Komisariatin nr.1. Kemi marrë gjithashtu telefonata në numrin zyrtar dhe disa raste na janë referuar përmes rrjeteve sociale. Nga administrimi i këtyre materialeve, kemi nisur hetimin administrativ për këto raste ku dyshohet për shkelje të të drejtave të njeriut”, tha Premçi.
“Në komisariatin nr. 1, pesë nga tetë të miturit e ndaluar pretenduan dhunë fizike dhe verbale nga punonjësit e policisë së shtetit. Ne dy prej tyre u konstatuam shenja te dëmtimit fizik. Në Bllokun e Sigurisë kemi marrë një ankesë për dhunë ndaj një të mituri”, shtoi ai.
Prençi sqaroi se neni 3 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ) ndalon torturën dhe trajtimin çnjerëzor ose poshtërues, pa asnjë përjashtim.
“Konventa për të Drejtat e Fëmijës (KDF), neni 37, kërkon trajtim humanitar dhe respektim të nevojave të personave nën moshën 18 vjeç. Kjo ka rëndësi sepse dhuna ndaj një të mituri në shoqërim është shkelje absolute dhe personat përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi për çdo rast”, tha ai.
Sa i përket dhunës ndaj të rriturve, Prençi sqaroi se “të shoqëruarit pretenduan për dhunë gjatë momentit të ndalimit duke përfshirë përdorimin e sprajit me piper dhe të gazit lotsjellës, goditje me bombol gazi lotsjellës, tërheqje zvarrë, si dhe dhunë fizike dhe psikologjike nga punonjësit e policisë së shtetit. Një ankues pretendoi se u godit në një zyrë të komisariatit nr. 4, ku nuk ka kamera sigurie”.
“Disa të mitur dhe të rritur raportuan se u është kërkuar të zhbllokojnë telefonat celularë dhe të lejojnë kontrollin e të dhënave personale, pa vendim gjykate, madje edhe kur nuk kishte akuzë të ngritur nga prokuroria”, tha Prençi duke shtuar se disa ankues deklarojnë se u shoqëruan në komisariat pa patur një shkak të ligjshëm pasi ata ishin kalimtarë të rastit, pa lidhje me protestën.
Lidhur me identifikimin e punonjësve të Policisë, Prençi tha se në komisariatet 2 dhe 4 u evidentuan punonjës policie pa numra identifikues, si dhe mangësi të dhënash në regjistrat e shoqërimit.
Prençi bëri të ditur se “në Bllokun e Sigurisë ndodhen rreth 109 persona të arrestuar. Mbingarkesa e ambienteve është e lidhur drejtpërdrejt me mungesën e shtretërve, ujit, ngrohjes dhe kujdesit mjekësor. Kjo ka rëndësi sepse mbingarkesa është shkak i drejtpërdrejtë i shkeljeve të tjera, sepse i bën të pamundur mbrojtjen e të drejtave themelore”.
Nisur nga ato që kemi konstatuar, vijoi Prençi, deri në këtë fazë kërkojmë nga Policia e Shtetit: identifikim i tyre është i detyrueshëm për çdo punonjës në detyrë, me numër identifikues të dukshëm, dhe identifikim i automjeteve në çdo operacion.
“Ministria e Brendshme të ndërhyjë urgjent për mbingarkesën në Bllokun e Sigurisë, me zvogëlimin e menjëhershëm të numrit të personave dhe transferimin në ambiente të tjera brenda kapacitetit ligjor. Policia e Shtetit të sigurojë kamera në çdo ambient shoqërimi dhe intervistimi ne çdo zyrë, me ruajtje të pamjeve, dhe ruajtja e menjëhershme e pamjeve të datës 19 tetor. Nuk lejohet asnjë kontroll i telefonave pa urdhër gjyqësor, dhe asnjë kërkesë për fjalëkalime pa bazë ligjore. Të sigurohet në çdo rast prezenca e prindit ose kujdestarit dhe e psikologut për çdo intervistë me të mitur; formular i të drejtave në versionin për fëmijë, para çdo pyetjeje; regjistër i veçantë për të miturit. Të realizohet trajnim i vazhdueshëm mbi përdorimin proporcional të forcës dhe të gazit lotsjellës. Policia e Shtetit të plotësojë regjistrat e shoqërimit me të gjitha të dhënat e kërkuara. Ministria e Shëndetësisë dhe Policia e Shtetit të sigurojnë mjekë të disponueshëm në çdo kohë në ambientet e shoqërimit, dhe dokumentim mjekësor i çdo dëmtimi sipas Protokollit të Stambollit”, nënvizoi Prençi.
Avokati i Popullit do të monitorojë zbatimin e këtyre kërkesave dhe çdo rast i abuzimit po hetohet kryesisht me nismën e Avokatit të Popullit.
Gjithashtu Avokati i Popullit fton çdo qytetar që, nëse i janë shkelur të drejtat nga Policia e Shtetit, të na drejtohet me ankesa individuale: përmes numrave tanë të telefonit, faqes zyrtare apo rrjeteve sociale.
© 2026 Argumentum





















































