Të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet në Mal të Zi më 22 tetor, nën mikpritjen e kryeministrit Milojko Spajić, shkruan faqja berlinprocess.de.
Pjesëmarrja është konfirmuar nga kryeministrat Đuro Macut, Edi Rama, Albin Kurti dhe Hristijan Mickoski, si dhe nga kryetarja e Këshillit të Ministrave, Borjana Krišto.
Takimi i të gjithë liderëve të rajonit përbën një shtysë të rëndësishme për bashkëpunimin rajonal dhe krijon një mundësi për të çuar përpara nismat e përbashkëta, së bashku me partnerët evropianë, të cilat kontribuojnë në integrimin ekonomik dhe në procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Si vend mikpritës i samitit, Mali i Zi synon të nxisë dialogun dhe bashkëpunimin, duke u përqendruar në arritjen e rezultateve konkrete për qytetarët dhe ekonomitë e rajonit.
Pjesëmarrja e të gjithë liderëve rajonalë konfirmon rëndësinë e Procesit të Berlinit si një platformë për forcimin e besimit, përmirësimin e ndërlidhjes dhe avancimin e një perspektive të përbashkët evropiane.
Samiti, që do të zhvillohet në Miločer, do të shënojë përfundimin e kryesimit të Procesit të Berlinit nga Mali i Zi për këtë vit.
© 2026 Argumentum





















































