Të dielën, në Karnavalin Ndërkombëtar të Arteve Audiovizuale 2026 në Shangai, u prezantuan arritje të shumta teknologjike të fjalës së fundit, duke shënuar kështu përmbylljen e këtij aktiviteti që u zhvillua nga 24 shtatori deri më 18 tetor.
Një nga arritjet e prezantuara ishte platforma për prodhimin dhe publikimin e dramave të shkurtra shumëgjuhëshe dhe animacioneve me anë të inteligjencës artificiale. Duke përdorur modelet e mëdha të inteligjencës artificiale dhe burimet shumëgjuhëshe, platforma u lejon përdoruesve të krijojnë, përkthejnë, modifikojnë, rishikojnë dhe shpërndajnë përmbajtjen e tyre.
Gjithashtu në event u prezantua edhe një dramë e animuar me inteligjencë artificiale, “Lidia takon të mëdhenjtë”, e krijuar në këtë platformë.
“Nisma për një Mjedis Audiovizual Miqësor”, e publikuar paralelisht, propozoi mbrojtjen e konceptit humanist të të drejtave digjitale të njeriut, forcimin e përfshirjes digjitale globale përmes dashamirësisë audiovizuale, si dhe nxitjen e një ekosistemi audiovizual global të qëndrueshëm.
Në këtë ngjarje u prezantua gjithashtu Ndërfaqja Multimediale me Qëllime të Përgjithshme (GPMI), zhvillimi i së cilës u udhëhoq nga Kina.
Me GPMI mund të lidhen pajisje të shumta mediatike, gjë që jo vetëm mundëson transmetimin e të dhënave në të dyja drejtimet, por gjithashtu mund të ofrojë furnizim me energji. Kjo arritje inovative do të nxisë zhvillimin e standardeve kineze, me qëllim fuqizimin e industrisë globale audiovizive.
I bashkëorganizuar nga Grupi Mediatik i Kinës (CMG) dhe qeveria e Bashkisë së Shangait, Karnavali Ndërkombëtar i Arteve Audiovizuale synoi sjelljen e teknologjive audiovizuale në hapësirat publike dhe nxitjen e zhvillimit të integruar mes kulturës, tregtisë, turizmit, sportit dhe ekspozitave./cgtn





















































