Reporterët pa Kufij (RSF) kanë dokumentuar 28 raste dhune, intimidimi dhe pengimi të raportimit mediatik në Shqipëri gjatë periudhës 13–19 tetor, që prekën të paktën 23 profesionistë të medias. Organizata dënon dhunën ndaj gazetarëve, kërkon hetime të pavarura, ndëshkimin e përgjegjësve dhe shqyrtimin parlamentar të veprimeve të autoriteteve.
Sipas RSF-së, të paktën 12 gazetarë dhe punonjës të medias u përballën me dhunë fizike, kryesisht nga punonjës të policisë, ndërsa raportohet për goditje, shtyrje, dëmtime të pajisjeve, marrje të telefonave dhe pengim të filmimeve gjatë protestave.
Vetëm më 18 tetor, të paktën tetë punonjës të medias raportuan abuzime nga policia. Mes rasteve të denoncuara janë fotoreporteri Hameraldi Agolli, kontribuues i Associated Press, gazetari i News24 Renaldo Salianji, si dhe gazetarët e Syri TV Marshi Korreshi dhe Elkier Bushkolaj. Ky i fundit raportohet se u plagos në këmbë nga një predhë gome e policisë.
RSF përmend gjithashtu rastin e Izmir Akullit, kryeredaktor i Dosja.al, i cili u dërgua në spital më 13 tetor pas goditjeve me grushte dhe shkelma nga disa punonjës policie, teksa filmonte ndërveprimin e tyre me një student.
Organizata shpreh shqetësim edhe për deklaratat e kryeministrit Edi Rama ndaj medias. Sipas RSF-së, më 18 tetor, Rama akuzoi pa paraqitur prova pronarin e News24 se po fabrikonte raportime për revoltën studentore me qëllim rrëzimin e qeverisë.
“Gazetarët duhet të jenë në gjendje të dokumentojnë veprimet e policisë pa u dhunuar, shtyrë, ndaluar apo penguar të filmojnë”, deklaroi Pavol Szalai, drejtues i zyrës së RSF-së në Pragë. Ai i bëri thirrje qeverisë shqiptare të zbatojë udhëzimet për sigurinë e gazetarëve, të ndëshkojë sjelljet agresive dhe të ndalojë intimidimin e medias nga kryeministri.
RSF i kërkon gjithashtu Kuvendit të Shqipërisë të shqyrtojë sjelljen e policisë gjatë protestave dhe Bashkimit Evropian të vlerësojë zbatimin në praktikë të angazhimeve të Shqipërisë për lirinë e medias, në kuadër të procesit të anëtarësimit.
Sipas një deklarate të Rrjetit SafeJournalists të publikuar më 18 tetor, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore kishte nisur shqyrtimin e rasteve të dyshuara të shkeljeve dhe shtatë efektivë ishin pezulluar. Megjithatë, nuk ishte e qartë nëse këto masa lidheshin drejtpërdrejt me incidentet ndaj gazetarëve.
Më 14 tetor, organizata të lirisë së medias dhe të shoqërisë civile, mes tyre edhe RSF, kërkuan zbatimin e plotë të Udhëzimeve për Sigurinë e Gazetarëve, të miratuara nga Policia e Shtetit në maj 2025, hetime të pavarura për dhunën dhe pengimin e raportimit, si dhe një seancë të posaçme parlamentare.
Pavarësisht kësaj thirrjeje, incidente të tjera u raportuan edhe në ditët pasuese.
Në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit 2026 të RSF-së, Shqipëria renditet në vendin e 83-të mes 180 vendeve dhe territoreve.
© 2026 Argumentum





















































