Kryeministri Edi Ram publikoi foto dhe inicialet e identitetit të personave të ndaluar nga Policia e Shtetit gjatë protestave të dhunshme, duke theksuar se ata nuk janë studentë.
“Tani unë do të ndaj me ju pamje të cilat me siguri do të tronditin shumëkënd. Për arsye të konfidencialitetit, është ruajtur identiteti i personave, në respekt të ligjit dhe, nga ana tjetër, të gjithë personat që shihni janë tanimë subjekt dhe objekt i punës së Policisë së Shtetit dhe drejtësisë shqiptare”, u shpreh Rama.
Kryeministri shtoi se personat e ndaluar gjatë protestave nuk kanë lidhje me studentët që mbështesin protestën paqësore për çështje që lidhen me jetën e tyre të përditshme.
“Janë të gjithë persona të ndaluar nga Policia e Shtetit në protestat e dhunshme dhe nuk janë studentë, janë diçka tjetër. Nuk i përkasin dhe nuk kanë asnjë lidhje me të gjithë ata studentë të cilët nuk i janë bashkuar kësaj dallge terrori urban, por që qëndrojnë në një front proteste, proteste paqësore, proteste të lidhur me jetën e tyre të përditshme”, deklaroi Rama.
Ai tha se disa studentë e mbështesin protestën përmes rrjeteve sociale, pasi e shohin dhunën si një mënyrë për të ushtruar presion ndaj qeverisë dhe institucioneve.
“Fatkeqësisht, shikojnë tek dhuna një mundësi për të ulur në gjunjë qeverinë e zgjedhur të Shqipërisë, për të ulur në gjunjë institucionet dhe, natyrisht, në fund fare, për të më imponuar mua një shkelje të patolerueshme të kontratës me shqiptarët”, u shpreh Kryeministri.
“Po e filloj me “studentin e parë”: G.I., 57 vjeç, i cili është dënuar për veprat penale të dhunës në familje dhe mosbindjes ndaj urdhrit të policisë. Precedent kriminal ka edhe studenti B.P., 41 vjeç, për prishje të rendit dhe qetësisë publike, dhunë në familje ndaj vëllait dhe motrës së tij, si dhe tentativë për të kryer marrëdhënie seksuale me këtë të fundit”, tha Rama.
Një tjetër “student” sipas Ramës është shtetasi A.B, 40 vjeç, me precedent kriminal për pjesëmarrje në protesta e tubime të paligjshme, si dhe për dhunë ndaj punonjësve të policisë.
“Vazhdojmë me ‘’studentin’’ E.K: Vjedhje, pjesëmarrje në protesta dhe tubime të paligjshme, pengimi i qarkullimit, dëmtime të tjera me dashje, të gjitha këto vepra për të cilat është dënuar më parë. S.X: 28 vjeç, precedent kriminal për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. E.V: 45 vjeç, precedent kriminal për vetëgjyqësi, mashtrim, fshehje të ardhurash, i dyshuar për marrje financimesh nga fonde të Republikës Khomeiniste të Iranit. S.D: 45 vjeç, precedentë kriminal për goditje për shkak të detyrës, falsifikim dokumentesh dhe ndotje. Vazhdojmë me XH.P: 27 vjeç, precedentë kriminal, pjesëmarrje në protesta të paligjshme, pengim të qarkullimit, prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, vijoi Rama.
Të tjerë individë që Rama përmendi janë J.S: 20 vjeç, prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, precedent kriminal i regjistruar; V.A 36 vjeç, precedent kriminal dënuar me 40 muaj burgim për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike në Britaninë e Madhe si dhe me dy vjet dhe pesë muaj burgim për veprën penale trafikim i qenieve njerëzore.
“Vazhdojmë me A.M 28 vjeç precedent kriminal për veprën penale shkelje rregullave të qarkullimit dëmtim me dashje, mashtrim, falsifikim dokumentesh. Vazhdojmë me A.F 38 vjeç prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike si dhe vjedhje, precedentët e tij kriminalë. Z.M 30 vjeç, prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike dënuar në Britaninë e Madhe dhe njëkohësisht vjedhje. A.P 17 vjeç, as nxënës as student, precedent kriminal dëmtime të tjera me dashje. L.A, 24 vjeç. Mashtrim, kundërshtim dhe goditje për shkak të detyrës së punonjës të policisë. Asnjë lidhje me universitetin, asnjë lidhje me studentët. AB 20 vjeç, dëmtime me dashje, shkatërrim i pronës, prodhim dhe shitje e lëndës narkotike, asnjë lidhje me universitetin”, tha Rama.
“F.D 32 vjeç, ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, vjedhje, prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike. Dëmtime të tjera me dashje pa asnjë lidhje me universitetin L.M 37 vjeç. Kundërshtimi i punonjësit të policisë, prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta. Asnjë lidhje me universitetin S.D 24 vjeç. Vjedhje, prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike. F.M 25 vjeç, precedent kriminal, plagosje lehtë me dashje, prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta, vjedhje, dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim për veprën penale, shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë. Pra, një grabitës me dhunë. I.G 36 vjeç, lokal për prostitucion, precedenti kriminal. K.K 39 vjeç, precedent kriminal vjedhje dhe prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, shtoi ai.
Rama ndau foton dhe inicialet e L.V 24 vjeç, duke u shprehur se nuk ka asnjë lidhje me Universitetin, por ka precedent kriminal vjedhje.
“M.A 32 vjeç, prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike. Edhe ky i fundit i dyshuar për financime nga republika Khomeniste e Iranit. I.D 26 vjeç, precedent kriminal për veprën penale prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta, pa lidhje me universitetin. K.B 20 vjeç asnjë lidhje me universitetin, dhunë në familje, prodhim dhe shitje lëndëve narkotike, shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor, prodhim dhe mbajtje pa leje armeve të ftohta. R.B 30 vjeç, precedent kriminal vjedhje dhe prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike. M.J 28 vjeç precedent kriminal kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik, asnjë lidhje me universitetin dhe ky. N.L 28 vjeç, prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike pa lidhje me universitetin”, tha Rama.
Kreu i Ekzekutivit, theksoi se G.P 46 vjeç është një tjetër individ, me precedent penal për goditje për shkak të detyrës, kanosje, shkatërrim i pronës, prishje rendit dhe qetësisë publike.
“E.N 23 vjeç, prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike. D.H 24 vjeç, prodhim dhe shitje e lëndës narkotike, dhunë në familje. E.H 19 vjeç, prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike. E.A 37 vjeç falsifikim dokumentesh, fshehje të ardhurash, shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen e personit. 37 vjeç. Çfarë studenti është ky? E.B 27 vjeç, precedent kriminal i deportuar nga Greqia për motivin e emigracionit të paligjshëm. Asnjë lidhje me universitetin. D.C 28 vjeç. Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt. Asnjë lidhje me universitetin. K.Z 22 vjeç. Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike. Asnjë lidhje me universitetin. E.LL 42 vjeç prishja e qetësisë publike. Kundërshtimi i punonjësit të policisë asnjë lidhje me universitetin. I dyshuar edhe ky për financime nga Republika Khomeniste e Iranit. A.LL 52 vjeç. 23 vjet burg për vrasje me paramendim armbajtje pa leje. Liruar nga burgu në 14/2/22. Shoqëruar disa herë në polici në vitet 2022, 2024, 2025 për konflikte dhe mosmarrëveshje, dhunues shembullor në protestën studentore në thonjëza”, vijoi ai.
Një tjetër individ, me inicialet A.I 33 vjeç me precedent penal për prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike. Kundërshtimi i punonjës të policisë, organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme.
“O.B 21 vjeç, mbajtje pa leje armëve të ftohta. Dëmtime të tjera me dashje, asnjë lidhje me universitetin. D.L 32 vjeç. Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike. Asnjë lidhje me universitetin. B.P 39 vjeç, precedent kriminal për veprën finale penale falsifikim i letërnjoftimeve pasaportave dhe vizave. I dyshuar edhe ky për financime nga Republika Khomeiniste e Iranit. J.G 26 vjeç, precedent kriminal për veprën penale, prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta. A.B 42 vjeç, president kriminal për veprën penale pushtimi i tokës, organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme, prishja e qetësisë publike, dy herë goditje për shkak të detyrës, lidhje me universitetin zero”, tha ai.
Kreu i Qeverisë u shpreh se këto janë një pjesë e “komponentit kriminal të një proteste, e cila u heroizua nga ekranet e korruptuara, nga “vipat” dhe nga të gjithë ata që shtriqen në sallonet e mbrëmjes duke grabitur pensionet, që paguhen me shuma të majme të padeklaruara dhe që ndërkohë qajnë hallin e pensionistëve apo studentëve, duke kërkuar më shumë për popullin shqiptar”.
“Të gjitha këto nuk duan të thonë që studentët, qytetarët dhe familjet e zakonshme të këtij vendi, që janë kundër kësaj qeverie, nuk kanë asnjë të drejtë, përkundrazi! Të gjitha këto duan të thonë që rruga për të kërkuar të drejtat, rruga për të luftuar demokratikisht kundër kujtdo që ndien se nuk të përfaqëson, është rruga paqësore e ballafaqimit demokratik të ideve dhe forcave. Idetë ballafaqohen çdo ditë, ndërsa forcat ballafaqohen në zgjedhje. Ndërkohë, mes të dyjave, qëndron edhe liria e paprekshme dhe e padiskutueshme e protestës paqësore”, theksoi Rama.
© 2026 Argumentum




















































