Prof.Dr. Fadil Maloku,
sociolog
1. Meqenëse, në PDK- u krijua një vakum lidershipi pas dorëheqjes së Bedri Hamzës që në fillim të kësaj ad hoc analize sociologjike, më duhet të jem shumë i drejtpërdrejtë dhe shumë konciz kur është në pyetje rikthimi i PDK-së si subjekti gati më i vjetër i skenës politike kosovare në arenën e “betejave” të reja ideologjike në skenën aktuale politike. Pra, duke marrë parasysh se ky subjekt ishte, në njëfarë mënyre, ajo “alter egoja” e shumë vendimeve të rëndësishme historike të shtetësisë së Kosovës, e njëkohësisht edhe pjesëmarrës aktiv i shumë gabimeve po ashtu historike, spostimi i saj nga dominanca politike bëri që, sot e kësaj dite, në “xherdanin” e veprimit të vet politik, ta “bartë” jo edhe me aq krenari hipotekën e skandaleve dhe aferave të pasluftës. Hipotekë, kjo, që asaj i kushtoi me mospjesëmarrje aktive në procesin e mëtejshëm të shtetndërtimit të Kosovës.
2. Prandaj, në rastin e përzgjedhjes së lidershipit të ri, do të ishte e udhës që ky subjekt shtetndërtues, njëherë e përgjithmonë, ta vlerësojë temën e shpëlarjes së vetvetes dhe ta rinisë më në fund jo vetëm me procesin e rikthimit me një lidership kompetent, por edhe me një narrativë të qëndrueshme e afatgjatë politike. Në këtë rrugëtim, kur kemi parasysh edhe faktin e kyçjes së një brezi të ri në “tregun” e rrudhur elektoral, shkaku i shtimit të numrit të abstenuesve, PDK-ja, në gjykimin tim, “betejën” kryesore që duhet ta zhvillojë pas dorëheqjes së parevokueshme të Bedri Hamza, duhet të orientohet ekskluzivisht kah pyetja fundamentale se: a duhet që lidershipi i ri i këtij subjekti ta marrë ose ta fitojë mandatin nga vota e lirë e “periferisë” (degëve dhe nëndegëve nga gjithë Kosova, sipas parimit një votë, një anëtar), apo duhet sërish ta amputojë atë nga ndonjë kompromis paraprak i fraksioneve dhe faksioneve evidente brendapartiake që synojnë ta marrin kontrollin përmes intrigave dhe eliminimit të rivalëve.
3. Thënë më ndryshe, a është dhe sa është e gatshme dhe e përgatitur PDK-ja ta demokratizojë mënyrën e prodhimit të pushtetit brendapartiak, edhe nëse kjo nënkupton humbjen e ca privilegjeve të disa prej fraksioneve dhe klaneve që e kanë kontrolluar, po edhe e kanë mbajtur peng në një farë mënyre këtë subjekt hisedar të pavarësisë dhe shtetësisë së Republikës? Sepse tashmë është sekret publik se, në kohën kur ish-liderët e saj ndodheshin në Gjykatën Speciale, e cila tashmë ka shqiptuar një aktgjykim me dënime që, për nga përmasat, mund të krahasohen me ato më drakoniket e historisë gjyqësore, PDK-ja i kishte përzgjedhur dy pasuesit e tyre përmes një konsensusi brenda faksioneve dominuese të partisë. Nëse tash kjo mënyrë e përzgjedhjes ishte më shumë produkt i marrëveshjeve të brendshme sesa i një vullneti të shprehur përmes votës së anëtarësisë, atëherë pyetja që shtrohet sot është e pashmangshme: A i duhet PDK-së një katarsis i thellë politik, nga i cili duhet të dalë një lider me legjitimitet të fituar përmes votës, apo një tjetër improvizim në përzgjedhjen e lidershipit të ri?
4. Pra, dilema “hamletiane” që shtrohet sot para PDK-së nuk është vetëm kush do ta zëvendësojë ish-kryetarin, por çfarë modeli të lidershipit do të ndërtojë partia pas tij. Dhe, kur jemi te kjo çështje, më duhet të paralajmëroj se në këtë rast duhet bërë dallimi ndërmjet ndërrimit të kryetarit dhe ripërtëritjes së legjitimitetit politik. Ngase ndërrimi i kryetarit është shumë më shumë procedurë apo teknikë formale që, në njëfarë mënyre, nuk është e thënë të “prodhojë” ekskluzivisht një karizëm organizative, por vetëm një lloj “mbijetese” taktike për ta ruajtur substancën elektorale, gjë që edhe u arrit si qëllim. Megjithatë, kur jemi te legjitimiteti politik e, besa, edhe moral i lidershipit të ri, përzgjedhja është shumë më shumë proces që kërkon kohë, besim, garë të brendshme, po edhe një pranim përmes mekanizmit të votës së lirë nga anëtarësia më e gjerë. Ku secili kandidat që pretendon ta “pushtojë” këtë post duhet hapur ta prezantojë vizionin e vet, ndërsa anëtarësia e “periferisë” të jetë pjesëmarrëse aktive dhe dominante e gjithë procesit zgjedhor.
5. Tjetër, secili kandidat duhet ta prezantojë platformën e vet për riorganizimin e partisë, opozitarizmin, raportin me elektoratin dhe vizionin për sfidat që e presin Kosovën në planin e brendshëm dhe atë të jashtëm. Në mënyrë që gara të kalojë nga konkurrenca e emrave në konkurrencën e ideve dhe narrativave që janë në përputhje me kohën. Po ashtu, edhe hapja e rrugës për kuadro të reja do të duhej të ishte një synim, po edhe ambicie e shëndoshë për të ardhmen e këtij subjekti. Kjo formulë e stilit “open mind” nuk nënkupton përjashtimin e figurave me përvojë, por ndërprerjen e riprodhimit automatik të të njëjtave elita klanore e faksioniste. Mirëpo, në anën tjetër, nuk duhet harruar se përzgjedhja e lidershipit të ri të PDK-së, përmes procedurave formale statusore, nuk jep garanci se i njëjti mund ta rifitojë me automatizëm simpatinë dhe besimin e elektoratit shumëngjyrësh.
6. Ndërkohë, jo vetëm për anëtarësinë e vet, por edhe për publikun e gjerë, “menaxherëve” të këtij procesi u mbetet të jenë të gatshëm të japin sqarime sa më transparente se çfarë pretendon të përfaqësojë e të aspirojë vizioni që po ofrohet në “menynë” e re. Kjo mënyrë, në gjykimin tim, është e dobishme edhe për një arsye të thjeshtë: do të hapte mundësinë e njohjes me vizionin edhe për kontingjentet e reja që pak ose aspak kanë ndonjë ndërlidhje me kapitalin dhe narrativën e luftës dhe të sakrificës me të cilat identifikohej gjer më tani PDK-ja. Dhe tash, nëse i rikthehem sërish asaj dileme të hedhur fillimisht, se a i duhet katarsis apo improvizim këtij subjekti politik, më duhet ta përmbledh me dy fjali. Katarsisi e ka imperativ mënyrën e prodhimit të pushtetit brenda partisë, ndërkaq ideja e improvizimit synim dhe ambicie e ka vetëm ndërrimin formal të personit (liderit të përkohshëm) që e ushtron pushtetin pa garë të hapur, pa projekt dhe pa konkurrencë programore e votim të besueshëm.
7. Si konkluzë, kujtoj që PDK-së, në këtë fazë të emancipimit të saj politik, nuk i duhet aq shumë një lidership karizmatik sikurse e ka “gëdhend” me vite të tëra LVV-je, sa i duhet një kontratë e re vizionare socioekonomike, e cila do t’ia mundësonte të hynte në një konkurrencë të mirëfilltë me kontratën sociale të Albin Kurtit. Ngase, pikërisht një konkurrencë e tillë programore do të mund të krijonte hapësirë solide për konsolidimin e dy blloqeve politike konstante, siç ndodhi në shumicën e demokracive evropiane: njërit liberaldemokratik, me PDK-në si bosht kryesor, dhe tjetrit socialdemokratik, të artikuluar rreth LVV-së. Kjo do të shënonte kalimin nga një politikë e dominuar nga kalkulimet e përkohshme të pushtetit në një garë ndërmjet dy alternativave të dallueshme socioekonomike, që qytetarit do t’i ofronin jo vetëm mundësi zgjedhjeje, por edhe orientim të qartë ideologjik e zhvillimor. Poashtu, kontrata e re e PDK-së me qytetarinë në qendër, përveç të tjerash, do ta zbehte hipotekën e keqqeverisjes së pasluftës dhe do të afirmonte një narrativë më joshëse e më pragmatike edhe për brezin e “TikTok-ut” e, sidomos, për shtresën e mesme, si shtylla kurrizore e një shoqërie të qëndrueshme transitore. Sepse vetëm kur kjo shtresë fiton siguri ekonomike, perspektivë dhe besim te institucionet, tranzicioni i stërzgjatur mund të përshpejtohet, ndërsa integrimet euroatlantike që e presin Kosovën në dekadën e ardhshme mund të shndërrohen nga një synim e ambicie politike në një projekt konkret zhvillimor…
Këshillë publike për PDK-n: Nëse dëshironi rritje elektorale, ja formula ime sociologjike: përdorni mekanizmin e demokratizimit të brendshëm; rriteni konkurrencën programore; krijoni hapësira për meritokratët e rinj; instaloni institucionin e llogaridhënies dhe do të keni ripërtëritje të shëndoshë e cilësore të lidershipit, por edhe rritje të potencialit elektoral!
© 2026 Argumentum





















































