Shqipëria formalizon pjesëmarrjen në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza, do të dërgojë 40 ushtarakë
Shqipëria ka formalizuar pjesëmarrjen në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza, përmes një marrëveshjeje që parashikon angazhimin e 40 ushtarakëve shqiptarë në këtë mision.
Marrëveshja u nënshkrua në mjediset e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerallejtënant Arben Kingji, dhe komandanti i Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit, gjeneralmajor Jasper Jeffers, në prani të ambasadorit amerikan në Tiranë, Eric Wendt.

Sipas marrëveshjes, ushtarakët shqiptarë do të angazhohen në mbështetjen e operacioneve humanitare, monitorimin e situatës së sigurisë dhe raportimin përkatës. Forca do të veprojë nën drejtimin e Bordit të Paqes.
Shqipëria, si anëtare themeluese e Bordit të Paqes, e cilëson këtë angazhim si pjesë të kontributit të saj në përpjekjet ndërkombëtare për vendosjen e paqes dhe garantimin e sigurisë në Gaza.

“Si anëtare themeluese e Bordit të Paqes, Shqipëria riafirmon angazhimin e saj për të kontribuar në përpjekjet ndërkombëtare për vendosjen e paqes, garantimin e sigurisë dhe krijimin e kushteve për një stabilitet të qëndrueshëm në Gaza”, thuhet në deklaratë.
© 2026 Argumentum





















































