Në një ngjarje të parë historike me ndikim të thellë për botën, presidenti kinez Xi Jinping u takua me homologun e vet rus Vladimir Putin dhe atë amerikan Donald Trump në qytetin e Kinës Jugore Shenzhen.
Ky takim historik trepalësh u zhvillua në një kohë me tensione të shtuara gjeopolitike, konflikte të zgjatura rajonale dhe pasiguri në rritje në peizazhin ndërkombëtar. Mënyra se si Kina, Rusia dhe ShBA-ja do të ndërveprojnë me njëra-tjetrën dhe a do të arrijnë ato të forcojnë komunikimin, të menaxhojnë dallimet dhe të nxitin bashkëpunimin, kjo do të ketë ndikim të madh në paqen dhe qëndrueshmërinë globale.
“Më shumë se 80 vjet më parë, si forcat kryesore në luftën globale kundër fashizmit, Kina, Rusia dhe ShBA-ja luftuan krah për krah për të arritur një fitore të madhe, duke siguruar paqen dhe qetësinë për botën,” tha presidenti kinez Xi Jinping gjatë takimit, duke theksuar që paqja mes vendeve të mëdha sjell qëndrueshmëri në botë, ndërsa konflikti mes tyre krijon vetëm kaos.
Tre krerët e shtetit publikuan Deklaratën drejt Paqes pas bisedimeve ndërmjet tyre, duke premtuar të përgjigjen më efektivisht ndaj sfidave globale dhe të përputhen me misionin themelor të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
foto nga Xinhua
Ndërveprimi pozitiv, “i domosdoshëm”
“Njerëzimi, duke jetuar në të njëjtin fshat global, është një komunitet me të ardhme të përbashkët, ku të gjithë mund të përfitojmë ose të humbasim së bashku. Në këtë fshat global, vendet kryesore mbajnë përgjegjësi të veçanta,” theksoi Xi Jinping-u, duke shtuar se ndërveprimi pozitiv midis vendeve kryesore “nuk është një zgjedhje, por domosdoshmëri.”
Si vende të mëdha dhe anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina, Rusia dhe ShBA-ja duhet të japin shembullin e tyre të mirë, të përpiqen së bashku për të përballuar sfidat globale, të mbrojnë së bashku paqen e qëndrueshmërinë botërore dhe të japin kontribute më të mëdha për përparimin e njerëzimit, tha Xi.
Sun Taiyi, profesor në Universitetin Christopher Newport në ShBA, i tha Grupit Mediatik të Kinës (CMG) se takimi është historikisht i rëndësishëm, pasi krijon një kanal të drejtpërdrejtë për këto tre vende të mëdha për të diskutuar përgjegjësinë e tyre të përbashkët për qëndrueshmërinë strategjike, pavarësisht mosmarrëveshjeve.
foto nga Xinhua
Si e gjejnë vendet e mëdha mënyrën e duhur për t’u marrë vesh me njëra-tjetrën
Në mes të konflikteve rajonale të pazgjidhura, konkurrencës gjeopolitike në intensifikim dhe riorganizimeve të shpejta në zinxhirët industrialë dhe furnizues globalë, Kina, Rusia dhe ShBA-ja ushtrojnë ndikim të ndjeshëm në çështjet ndërkombëtare. Forcimi i komunikimit dhe menaxhimi i dallimeve midis tre vendeve është thelbësor për të ruajtur paqen dhe qëndrueshmërinë globale.
Si mund të gjejnë vendet e mëdha mënyrën e duhur për të bashkëjetuar dhe për të mbështetur paqen botërore? Xi theksoi katër pika në takimin e së enjtes: Respekti i ndërsjellë, bashkëjetesa paqësore, bashkëpunimi me përfitime të përbashkëta, si edhe dialogu e konsultimi.
Në përgjigje të këtyre katër pikave, Putini theksoi që ruajtja e paqes ndërkombëtare është një përgjegjësi e përbashkët e tre vendeve, dhe trajtimi i duhur i çështjeve të nxehta u shërben interesave të tyre të përbashkët. Ndërsa Trump tha se ruajtja e qëndrueshmërisë dhe arritja e paqes kërkojnë dialog, dhe të gjitha çështjet duhet të zgjidhen nëpërmjet dialogut.
Zhang Tengjun, bashkëpunëtor kërkimor në Institutin e Studimeve Amerikane në Akademinë Kineze të Shkencave Shoqërore, tha se katër pikat e propozuara nga presidenti Xi përforcojnë njëra-tjetrën. “Ato u paraqitën bazuar në një gjykim për prirjen e përgjithshme të ndryshimeve të thella globale dhe në njohjen e marrëdhënieve dinamike midis vendeve të mëdha, duke ofruar një udhëzues themelor për mënyrën se si këto vende duhet të bashkëjetojnë në epokën e re,” tha Zhang për CMG-në.
Duke e përshkruar samitin Kinë-Rusi-ShBA si “pozitiv, konstruktiv dhe frytdhënës,” Xi theksoi që ka shpresë për paqe për sa kohë që dialogu nuk ndalet dhe dera nuk mbyllet.
foto nga Xinhua
-cgtn




















































