Studentët janë organizuar për herë të parë që prej protestave të fundit, duke zhvilluar sot një takim në ambientet e Universitetit Politeknik të Tiranës, ku kanë njoftuar krijimin e “Lëvizjes Studentore Kombëtare”.
Organizimi i ri synon konsolidimin e strukturave të tij në universitetet e Shqipërisë dhe vjen në kuadër të angazhimit të studentëve për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, forcimin e demokracisë dhe ndryshimin e sistemit politik postkomunist në vend.
Në një deklaratë për mediet, përfaqësuesit e lëvizjes theksuan se janë pjesë e protestave qytetare që prej 31 majit 2026, duke vlerësuar kontributin e qytetarëve, aktivistëve, profesionistëve dhe përfaqësuesve të komuniteteve nga Shqipëria dhe diaspora.
Sipas tyre, pjesëmarrja masive e gjimnazistëve dhe studentëve, duke nisur nga 13 tetori 2026, shënoi një fazë të re të protestës.
“Lëvizja Studentore Kombëtare është vijimësi e natyrshme e revoltës qytetare, jo zëvendësim i saj”, thuhet në deklaratë.
Studentët theksuan se synojnë të plotësojnë protestën qytetare me zërin dhe propozimet që burojnë nga shqetësimet e tyre, duke e cilësuar organizimin si të pavarur dhe të krijuar nga vetë studentët.
“Si dy krahë të të njëjtit trup, synojmë të përforcojmë njëri-tjetrin në mbrojtje të interesave të kombit shqiptar, duke i shtuar protestës zërin dhe propozimet që burojnë nga shqetësimet tona si studentë”, thuhet në deklaratë.
Një nga mesazhet kryesore të lëvizjes lidhet me të ardhmen e rinisë shqiptare dhe mundësinë për të ndërtuar jetën në vend.
“Rinia shqiptare nuk duhet të zgjedhë më ndërmjet së ardhmes së saj dhe atdheut. Ajo duhet të ketë mundësinë dhe mbështetjen për të jetuar me dinjitet, për t’u arsimuar, punuar, ndërtuar një jetë të suksesshme dhe krijuar familje në Shqipëri”, theksuan studentët.
Ata nënvizuan se arsimi cilësor, punësimi dhe barazia e mundësive, pa diskriminim, varen drejtpërdrejt nga mënyra e qeverisjes dhe llogaridhënia institucionale.
Në këtë kuadër, Lëvizja Studentore Kombëtare njoftoi se do të paraqesë në vijim për diskutim publik propozime juridike dhe politike, me synimin për të kontribuar në reformimin e sistemit dhe garantimin e llogaridhënies institucionale.
“Reforma e vërtetë nuk matet vetëm nga ndryshimi i emrave në pushtet, por nga cilësia e rregullave që e kufizojnë atë, mbrojnë votën dhe garantojnë llogaridhënien”, thuhet në deklaratë.
Sa i përket mënyrës së organizimit, studentët bënë të ditur se lëvizja nuk ka kryetar dhe se nuk synon të përfaqësojë në mënyrë të njëanshme të gjithë studentët, por të krijojë një hapësirë të hapur për diskutim, pjesëmarrje dhe vendimmarrje të përbashkët.
“Ne duam të kultivojmë kulturën e demokracisë, që ka munguar në Shqipëri deri më sot. Lëvizja Studentore Kombëtare po ngrihet sepse ne nuk duam të largohemi nga atdheu ynë. Duam të ndërtojmë një të ardhme këtu dhe të kemi një rol aktiv në ndërtimin e një Shqipërie më të drejtë, ku të rinjtë nuk kanë pse të ikin”, përfundon deklarata.
© 2026 Argumentum




















































