Organizata prestigjioze “Europa Nostra” ka reaguar përmes një deklaratë urgjente lidhur me vendimin e Këshillit Bashkiak për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.
Në një postim në Twitter, “Europa Nostra” e cila e ka renditur Teatrin Kombëtar në listën e shtatë monumenteve më të rrezikuara që duhen mbrojtur në Europë, shkruan se godina mbrohet me ligj kombëtar dhe nga shoqëria.
“Kjo është arsyeja pse ne kundërshtojmë prishjen e paligjshme të propozuar të Teatrit Kombëtar në Tiranë, një nga 7 ndërtesat më të rrezikuara të Evropës.
Teatri mbrohet nga ligji kombëtar dhe mbrohet fuqimisht nga shoqëria civile dhe ekspertët. Sundimi i ligjit të bazohet mbi vlerat e BE-së”, – shkruhet në faqen zyrtare në Twitter të kësaj organizate, ku ndër të tjera përdoren hashtag si ‘vlerë europiane’, apo ‘sundimi i ligjit’.
Këshilli i Bashkisë së Tiranës miratoi dje vendimin për të shembur godinën e Teatrit Kombëtar. Vendimi ka marrë shumicën e votave nga 61 anëtarët e këshillit, ku 51 janë përfaqësues të PS-së.
Sipas kësaj shkrese, Bashkia e Tiranës do të marrë mbështetjen e Policisë së Shtetit në shembjen e godinës, gjë e cila nuk është mirëpritur nga ana e komunitetit të artistëve ku në mënyrë të përsëritur e kanë kundërshtuar këtë vendim të Bashkisë.
Vetëm pak ditë më parë, me vendim të Këshillit të Ministrave, trualli i godinës së Teatrit Kombëtar i kaloi në pronësi Bashkisë së Tiranës. Shembja do t’i hapë rrugën ndërtimit të një teatri të ri, që parashikohet të realizohet me fondet e buxhetit të shtetit.