Demokratët e Shteteve të Bashkuara emëruan zyrtarisht të martën ish nënpresidentin, Joe Biden, për kandidatin e tyre në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, në një mbrëmje tjetër gjatë së cilës republikanë të shquar ju bashkuan kritikave të demokratëve ndaj presidentit Donald Trump, derisa vlerësuan aftësitë udhëheqëse të zotit Biden.
Ish nënpresidenti Biden ishte kandidati i supozuar i partisë për muaj të tërë pasi mbizotëroi një grup demokratësh që shpresonin të kandidohen për president në votimet paraprake, duke përfshirë këtu edhe rivalin e tij senatorin e Vermontit, Bernie Sanders.
Biden tha se emërimi “do të thotë shumë për mua dhe familjen time dhe unë do t’ju shoh të enjten”, duke nënkuptuar fjalimin që pritet ta mbajë derisa pranon emërimin në natën e fundit të Konventës Kombëtare.
Derisa demokratët u mblodhën në mënyrë virtuale, Trump udhëtoi të martën në dy shtete kryesore të fushës së betejës, Iowa dhe Arizona, ku u përpoq të inkurajojë gratë votuese, ndërsa me herët fali veprimtaren Susan B. Anthony, e cila luftoi për të drejtën e votës për gratë amerikane dhe u shpall fajtore se kishte votuar në mënyrë të paligjshme në vitin 1872.





























































