Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha të enjten në Prishtinë se aktgjykimi i Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) duhet të respektohet plotësisht, duke theksuar njëkohësisht se “askush dhe asgjë” nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës.
“Ky aktgjykim u dha nga institucione të pavarura gjyqësore dhe mandati i tyre duhet të respektohet plotësisht”, tha von der Leyen në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ajo pranoi se vendimi ka shkaktuar emocione të forta në Kosovë dhe vlerësoi reagimin e matur të qytetarëve dhe liderëve politikë, të cilët kanë bërë thirrje për qetësi.
Vendimi i Dhomave të Specializuara dënoi ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi, me nga 25 vjet burgim. Ish-kryetari tjetër i Kuvendit, Kadri Veseli, u dënua me 18 vjet, ndërsa ish-deputeti Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.
Të katër ish-krerët e UÇK-së kanë luajtur role drejtuese gjatë luftës së viteve 1998-1999 dhe vazhdojnë të konsiderohen figura të rëndësishme të luftës për pavarësinë e Kosovës.
Von der Leyen theksoi, megjithatë, se aktgjykimi lidhet me përgjegjësinë individuale të personave të gjykuar dhe nuk përbën një gjykim mbi luftën e Kosovës.
“Por një gjë është e qartë: ky aktgjykim ka të bëjë me përgjegjësinë individuale të të pandehurve; rezistenca e Kosovës nuk ishte në gjykim dhe ne duhet të nderojmë kujtimin e të gjitha viktimave nga të gjitha komunitetet”, tha ajo.
Deklarata e saj vjen në një klimë të tensionuar politike në Kosovë, ku vendimi i Hagës është kundërshtuar gjerësisht. Që prej shpalljes së aktgjykimit janë zhvilluar protesta, ndërsa në diskursin publik është ngritur shqetësimi se vendimi mund të prekë edhe perceptimin historik të luftës së UÇK-së.
Gjatë procesit gjyqësor dhe në shpalljen e aktgjykimit, Dhomat e Specializuara kanë theksuar se UÇK-ja si organizatë nuk ishte subjekt i gjykimit, por përgjegjësia penale lidhej me individët dhe veprimet për të cilat ata u shpallën fajtorë.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha se gjykata e kishte bërë të qartë se “UÇK-ja nuk ishte në gjyq”.
Sipas Kurtit, ky element duhet të theksohet më shumë edhe në arenën ndërkombëtare.
Megjithatë, kryeministri kosovar shprehu shqetësime lidhur me përfundimet e gjykatës dhe ashpërsinë e dënimeve, duke thënë se pret që ato të rishikohen në procesin e apelit.
“Besojmë se ato përmbajnë gabime faktike, historike dhe juridike, dhe presim që këto të korrigjohen në apel. Drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe duhet të shihet e përjetohet si e paanshme”, tha Kurti.

Von der Leyen për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara
Gjatë konferencës në Prishtinë, von der Leyen u pyet edhe për nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Ajo tha se vendimi për këtë çështje i takon Kosovës, por nënvizoi rëndësinë e garantimit të pavarësisë së gjyqësorit.
Nisma për ndryshimin e ligjit është ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe aktualisht është duke u shqyrtuar nga zyra ligjore e kryeministrit Kurti.
Vizita e von der Leyen në Prishtinë zhvillohet në një moment të ndjeshëm për Kosovën, pas aktgjykimit të Hagës dhe debatit të brendshëm mbi pasojat e tij. Në qëndrimin e saj, presidentja e Komisionit Evropian ndau respektimin e vendimit gjyqësor nga interpretimi historik i luftës, duke theksuar se përgjegjësia penale e individëve nuk duhet të barazohet me gjykimin e rezistencës së Kosovës.
© 2026 Argumentum




















































