Kryeministri Edi Rama ka njoftuar mëngjesin e sotëm nëpërmjet një postimi në Twitter se Belinda Balluku është emëruar zv.kryeministre. Ndërsa Arben Ahmetaj është shkarkuar si zv.kryeministër dhe si ministër i Shtetit për Rindërtimin.
Arben Ahmetaj nuk do të jetë më zv. Kryeministër, ndërsa vendin e tij si numri dy i Qeverisë do ta zërë Belinda Balluku, e cila do ta mbajë edhe pstin aktual të ministres të Infrastrukturës dhe Energjisë. Kryeministri Edi Rama ka shkarkuar nga detyra Arben Ahmetajt, si zv.kryeministër dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin, dhe në vend të tij ka emëruar Ballukun, si zv.kryeministre. Ndërsa ministria e Shtetit për Rindërtimin, për kreun e qeverisë e ka përmbushur misionin, kjo dhe fale kontributit të Ahmetajt. Rama tha se kriza energjetike si dhe integrimi i vendit drejt Bashkimin Europian, janë tashmë dy prioritetet e qeverisë, për të cilat janë bërë edhe ndryshimet në kabinetin qeveritar.
Ndërkohë në kuadër të procesit të integrimit dhe negociatave me BE-në, kryeministri Edi Rama bën të ditur se si kryenegociatore është emëruar Majlinda Dhuka, një profil i lartë teknik, në vend të profilit të lartë diplomatik të ambasadorit Zef Mazi. Dhuka po ashtu është emëruar Ministre Shteti për marrëdhëniet me BE-në pranë kryeministrit. Kreu i qeverisë ka falenderuar kryenegociatorin Zef Mazi për kontributin në arritjen e madhe historike të çeljes së negociatave.
Tani që prioriteti i Rindërtimit ia le vendin prioritetit të Negociatave me BE,ndërron profili i ministrit të Shtetit. Majlinda Dhuka,një profil i lartë teknik në vend të profilit të lartë diplomatik të ambasadorit Mazi, bëhet Kryenegociatore& Ministre Shteti pranë kryeministrit.
Energjia si sfida më kolosale e kësaj periudhe dhe infrastruktura si sfidë e pandërprerë kombëtare, janë bërë sot edhe marrëdhënie intensive me qeveri e institucione ndërkombëtare. Koha që roli i zv/kryeministrit të fokusohet në këto fusha. Belinda Balluku bëhet zv/kryeministre.
Falenderoj Arben Ahmetajn për kontributin në misionin tonë të përmbushur me një sukses spektakolar për Rindërtimin. Falenderoj Zef Mazin për kontributin në arritjen e madhe historike të çeljes së negociatave; dy bashkëpunëtorë të vlefshëm në një rrugë sfidash që vazhdon.’- njofton Rama.
/Argumentum.al