Shqipëria është vendi që do të ketë tkurrjen më të madhe të popullsisë në botë deri në fund të shekullit. Parashikimi tronditës vjen nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në projeksionin e fundit të popullsisë botërore.
Sipas projeksionit bazë të OKB-së, në fund të këtij shekulli popullsia e Shqipërisë do të rrudhet në vetëm 1 milionë banorë, me një rënie prej 62 për qind krahasuar me shifrën aktuale.
Kjo është rënia më e madhe në botë, e cila e projekton kombin shqiptar sa një lagje e një qyteti të zakonshëm europian. Sipas OKB, nga 5 shtetet që pritet të kenë rënien më të madhe të popullsisë në 80 vitet e ardhshme, 4 gjenden në Ballkan.
Më konkretisht në vendin e dytë, shteti që do të pësojë uljen më të madhe të popullsisë është Serbia me 52 për qindi, ndërsa në vendin e tretë dhe të katërt Moldavia dhe Bosnja, ku popullsia pritet të tkurret me 50 për qind deri në fund të këtij shekulli. Shteti që mbyll pesëshen e vendeve më krizën më të thellë demografike, është bullgaria për të cilën OKB parashikon se do të humbasë 48 për qind të popullsisë deri në vitin 2100.