Ambasada e Federatës Ruse në Shqipëri ka reaguar ndaj deklaratave të Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, dhe kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, të cilët përmendën Rusinë si një nga aktorët që, sipas tyre, mund të ketë ndikim në protestat e zhvilluara në vend.
Në një deklaratë zyrtare, Ambasada Ruse i hodhi poshtë këto pretendime, duke i cilësuar ato si të pabazuara.
“Jemi të habitur nga deklaratat e Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë, Blendi Gonxhja, dhe kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, si edhe nga publikimet e disa mediave shqiptare, sipas të cilave Rusia gjoja ka pasur ndikim në protestat e fundit në Shqipëri. Pretendime të tilla janë krejtësisht të pabaza”, thuhet në reagimin e Ambasadës.
Më tej, misioni diplomatik rus thekson se Moska ndjek parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve të tjera.
“Rusia zbaton me rreptësi njërin prej parimeve themelore të politikës së saj të jashtme: parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve të huaja. Moska gjithmonë respekton zgjedhjen e popullit dhe punon me qeverinë e zgjedhur në mënyrë legjitime. Ne i urojmë sukses dhe begati popullit shqiptar, pavarësisht koniunkturës së krijuar politike dhe nivelit aktual të marrëdhënieve”, vijon deklarata.
Ambasada Ruse shton se, sipas saj, kjo nuk është hera e parë që Rusia akuzohet pa prova për ndikim në zhvillimet e brendshme politike të Shqipërisë.
“Me keqardhje vërejmë se kjo nuk është hera e parë që politikanët shqiptarë janë përpjekur t’i imponojnë publikut vendas në mënyrë të pabazë idenë e të ashtuquajturit ‘ndikim dashakeq’ të Rusisë. Ne bëjmë thirrje për një qasje më të përgjegjshme ndaj deklaratave të tilla dhe për t’u përmbajtur nga kërkimi i armiqve aty ku ata nuk ekzistojnë”, përfundon reagimi i Ambasadës së Federatës Ruse në Shqipëri.
/Argumentum.al





























































