Ambasada e Federates Ruse në Tiranë ka përgënjeshtruar lajmet se janë zhvendosur me godinë për shkak se rruga në të cilën ndodhej selia e vjetër u emërtua ‘Ukraina e Lirë’, ashtu siç në fakt u raportua fillimisht në media.
Përmes një njoftimi, ambasada ruse i cilëson jo të besueshme lajmet e publikuara në mediat shqiptare që e lidhin zhvendosjen e ambasadës në një godinë të re për arsye të riemërtimit të rrugës.
Ambasada thekson se ndërtesa e re e ambasadës u hap në prani të mediave që në shtator 2019, por zhvendosja e plotë u mundësua vetëm në qershor 2022 për shkak të vonesës së punimeve ndërtimore në periudhën e pandemisë.
Argumentum.al, e ka pasyqyruar inagurimin e Ambasadës së re të Rusisë në Tiranë, sikundër shumë media në atë kohë, ndaj lidhja e zhvendosjes së kësaj Ambasade me emërtimin e rrugës ‘Ukraina e Lirë’ tregon se kujtesa gazetareske është tejet e shkurtër dhe shpesh rrezikon të biem në kurthin e lajmeve të rreme.
Reagimi i plotë i Ambasadës Ruse në Tiranë:
“Në lidhje me publikimin në një sërë mediash shqiptare të informacioneve jo të besueshme për zhvendosjen e pretenduar të Ambasadës Ruse në Shqipëri në një godinë të re për arsye të riemërtimit të rrugës, njoftojmë sa më poshtë:
Ndërtesa e re e Ambasadës, e pajisur për zyrën e misionit diplomatik, u përgatit dhe u hap solemnisht në prani të gazetarëve dhe trupit diplomatik të akredituar në Tiranë në shtator të vitit 2019. Megjithatë, zhvendosja e plotë u realizua vetëm në qershor 2022, për shkak të vonesës së punimeve ndërtimore në periudhën e pandemisë.
Në të njëjtën kohë, MEPJ-së shqiptare i është dërguar një njoftim zyrtar për zhvendosjen e zyrës së Ambasadës dhe adresa e re është publikuar në rrjetet sociale.
Do të dëshironim që tani e tutje, përpara publikimit të informacioneve lidhur me punën e misionit tonë diplomatik, gazetarët të kontaktojnë drejtpërdrejt me përfaqësuesit e Ambasadës për një informacion të besueshëm“.
/Argumentum.al