Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, përmes një shkrimi në Twitter ka mbështetur seancën e nesërme që do të mbajë Kuvendi i Kosovës, për të votuar mocionin e votëbesimit për Qeverinë Kurti.
“Jam i kënaqur ta shoh Kuvendin që nesër do ta mbajë seancën e mocionit të votëbesimit”, shkruan Kosnett.
Ambasadori Kosnett tregon se sot i ka thënë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, se është e rëndësishme që të respektohet kushtetua e vendit nga Kuvendi dhe institucionet e tjera.
“Siç i kam thënë Kryeministrit Kurti sot, është e rëndësishme që Kuvendi dhe gjitha institucionet ta respektojnë Kushtetutën”, ka thënë Kosnett.
Pleased to see the Assembly will hold a session on the no-confidence vote tomorrow. As I told the PM today, it is important for the Assembly and all Kosovo institutions to respect the Constitution.
Mocioni është mbështetur nga opozita ndërsa është kritikuar nga diplomatë evropian, vëzhgues e analistë që e cilësojnë këtë zhvillim politik si shumë të dëmshëm në një kohë kur vendi po përballet me pandeminë e virusit COVID-19.
Ndryshe nga ambasadori Kosnett, ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës i kërkuan me herët gjatë ditës Lidhjes Demokratike e Kosovës të rishqyrtojë vendimin për mocionin e mosbesimit.
Të dy ambasadat i kanë nisur një letër proteste zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti, që të kërkojë nga kryetari i partisë së tij, të qëndrojë në qeveri.
“Ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës i kanë nisur kërkesë të përbashkët zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti që të njoftojë kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa mbi shqetësimet e dy kryeqyteteve tona. Gjermania dhe Franca qëndrojnë përkrah me popullin e Kosovës në këtë krizë. E ftojmë LDK-në të rishqyrtojë vendimin për mocionin e mosbesimit dhe ta mbajnë qeverinë të besueshme dhe të qëndrueshme për t’u përballur me sfidat”, shkruan ambasadat gjermane e franceze në rrjetet sociale.