REAL POLITIK NR. 115
1 – 27 TETOR 2025
Komente “ flash” mbi 4 ngjarjet kryesore diplomatike, shkurt dhe shqip, vetëm me 1000 fjalë nga analisti i njohur,
Mjeshtër i Madh në Diplomaci
DR. JORGJI KOTE
1.Armëpushim po, paqe jo! Marrëveshja e Armëpushimit Izrael – Hamas e nënshkruar më 8 Tetor me ndërmjetësimin e Presidentit Trump i dha fund një periudhe dy vjetore makthi lidhur me fatin e 145 pengjeve, prej të cilëve vetëm 20 janë gjallë. E nënshkruar më 13 Tetor në praninë e Presidentit Trump dhe 30 liderve të tjerë ajo krijoi pritshmëri të mëdha për një proces paqeje të përhershme mes tyre dhe në rajon. Ndaj, me të drejtë kjo po vlerësohet si arritje e shënuar e Presidentit Trump, natyrisht falë mirëkuptimit dhe mbështetjes edhe nga vendet arabe, Turqia, etj.
Megjithatë, nuk ka vend për eufori mbasi ajo është vetëm marrëveshje armëpushimi dhe askush nuk e di sa do të mbajë. Sigurisht janë bërë hapa përpara, por megjithatë mbetet shumë për t’u bërë. Duhet të çarmatoset Hamasi, çka është më e lehtë në të thënë se në të bënë, të largohet nga skena politike, të rindërtohet Gaza, të reformohet Autoriteti Palestinez dhe të krijohet shteti i Palestinës. Këto janë hapa të vështirë por të domosdoshëm.
2. Duhet zgjidhja me dy shtete! Marrëveshja e datës 8 Tetor jo vetëm nuk e përjashtoi njohjen e shtetit palestinez, por e përfshin atë edhe pse në mënyrë indirekte si hapi përfundimtar procesit paqebërës në Lindjen e Mesme. Eshtë pozitive se ka një bindje të përgjithshme edhe te administrata amerikane se pa njohjen e shtetit palestinez, në paqe dhe harmoni me atë izraelit nuk mund të ketë paqe të vërtetë. Padyshim këtu Franca, Britania e Madhe, Kanadaja dhe shumë vende të tjera luajtën rolin e tyre me njohjen zyrtare të Palestinës gjatë Samitit Franko-Saudit të organizuar më 22 Shtator në selinë e OKB-së në Nju Jork.

Përvoja e 80 viteve të fundit, me shumë demarshe dhe marrëveshje paqeje e dëshmon qartë këtë realitet.
3. Fundi i politikës amerikane me zik zake? Kjo pyetje po shtrohet pas takimit të 17 Tetorit në Shtëpinë e Bardhë midis Presidentit Trump dhe homologut ukrainas, Zelenski. Takim i shumëpritur pas disa deklaratave të forta të Presidentit Trump dhe zhgënjimit të tij me sjelljen e Presidentit rus Putin. Ai kishte pohuar se Ukraina mund ta fitonte luftën brenda disa javëve, se Rusia është ” tigër prej letre” dhe deri te mundësia e livrimit të raketave ” Tomahawk” me avantazhe të mëdha luftarake për Ukrainën. Mirëpo, telefonata 120 minutëshe një ditë përpara takimit të tyre Trump – Putin, propozimi i këtij të fundit për ndërtimin e një tuneli që të lidhë Siberinë me Alaskën me emrin Trump – Putin e ndryshuan tërësisht situatën para takimit Trump – Zelenski. Pohimet e Trump për një bisedë produktive me Putinin dhe besimi se do t’i jepej fund luftës gjatë takimit të tyre në Budapest në dy javët e ardhëshme shuan shpresat për ndonjë rezultat të mundshëm me Zelenskin. Dhe kështu ndodhi. Pati lëvdata nga Trump për kostumin e Zelenskit, komplimenta si burrë i fortë, për ushtrinë ukrainase dhe luftën e saj, por vetëm aq. Mirëpo, kur erdhi fjala të tema kryesore, dërgimi i raketave Tomalhawk, Trump e refuzoi sepse Amerika i do vetë dhe se Ukraina nuk do t’i përdorë, mbasi shumë shpejt sipas tij do të realizohet armëpushimi me Rusinë. Madje, Trump kërkoi që lufta të ndërpritet aty ku trupat ruse ndodhen tani, me të cilën Europa është dakord, por jo Putini.
Për pasojë, Budapesti do të ishte vijim i Alaskës në dëm të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, duke u kthyer sërish te versionet e mëparshme për ndarjen e Ukrainas me JO-të e njohura: Jo në NATO, JO me ushtri, Jo në territoret e pushtuara nga rusi më 2014 dhe me jo të tjera.

Nëse në Lindjen e Mesme Trump ka patur sukses me diplomacinë e forcës dhe detyrimit, me Rusinë ai deri tani ka ndjekur diplomacinë zbutëse, qetësuese dhe përkëdhelëse. Ja pse, shanset për një paqe të vërtetë në Ukrainë ishin shuar. Bëhej fjalë thjesht për përfundimin e luftës, por me kushte, pasoja dhe kosto të papërballueshme për Ukrainën dhe paqen e vërtetë atje.
Në këto kushte, Budapesti nuk do ta kënaqte Trumpin, i cili duket se e ka kuptuar që Putini po luan me atë dhe me kohën. Ndaj, me të drejtë ai e anuloi Budapestin, duke shtuar tani së fundi se nuk do ta takojë Putinin nëse ky i fundit nuk ulet për një marrëveshje paqeje. Gjithashtu, Trump vendosi sanksione ndaj 2 kompanive gjigande ruse me pasoja serioze për Moskën.
Gjithsesi, duke patur parasysh politikën e tij të deritanishme plot zik zake, duhet ende të presim e të shohim nëse Trump do të jetë konseguent ndaj Rusisë dhe do të bashkëpunojë me aleatët europianë.
4. 19 sanksione, Anti-dronë dhe pavarësi ekonomike: Në Samitin e saj më 23 – 24 Tetor në Bruksel, BE-ja miratoi tre vendime jetike për mbrojtjen e saj, mbështetjes së Ukrainës dhe pavarësisë ekonomike nga metalet e rralla kineze.
Ajo miratoi Paketën e 19-të të sanksioneve kundër Russië, të cilat së bashku me sanksionet më të fundit amerikane ndaj dy kompanive gjigande ruse të naftës, do ta godasin Moskën mu në zemër të ekonomisë dhe financimit të makinerisë së saj të luftës.

Vendimi i dytë lidhet me miratimin e projektit për ndërtimin brenda vitit 2027 të Murit gjigand Anti-Dronë, për t’i bërë ballë sulmeve të mundshme dhe masive me dronë nga Rusia në të ardhmen. Kjo pas disa incidenteve dhe ndëhyrjeve në hapësirat ajrore të disa vendeve anëtare të BE-së dhe të NATO-s. Ky projekt me vlerë disa miliarda Euro do të forcojë më tej kapacitetet e BE-së tashmë edhe si një Bashkim i Madh Mbrojtës. Ndërkohë, BE-ja po përgatit dhe së shpjti do të verë në zbatim një plan të ngjashëm për kompensimin e importit të metaleve të rralla nga Kina, të cilat janë jetike për ekonominë, teknologjinë dhe mbrojtjen e BE-së. kjo përballë një Kine që pritet të ashpërsojë konkurrencën e saj ekonomike dhe tregtare në fushën e metaleve të rralla, ku ajo zotëron 75 për qind të rezervave botërore. Gjithashtu, Europa po kërkon mundësi dhe tregje të reja në vende të tjera. Kjo do të ndihmojë vendet anëtare të BE-së që të ulin ndjeshëm varësinë e tyre ekonomike nga Kina në këtë fushë jetike; shënojmë se Plenumi i KQ të PPK-së më 20 – 24 tetor orientoi që Kina ta shfrytëzojë këtë varësi të Europës si avantazh të saj strategjik.
© 2025 Argumentum





























































